Lajme

Nis rehabilitimi i zonave të degraduara në pellgun e Drinit të Bardhë

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit me përfaqësuesit e CNVP-së, me qëllim avancimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe rehabilitimin e zonave të degraduara përgjatë pellgut të lumit Drini i Bardhë.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se ky partneritet synon mbrojtjen e burimeve natyrore, rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për qytetarët.

“Përmes këtij projekti do të rehabilitohen mbi 5 hektarë tokë të degraduar, do të realizohen mbjellje të reja për ripyllëzimin e zonave të dëmtuara, do të mbrohet biodiversiteti dhe ekosistemet natyrore, do të rritet ndërgjegjësimi i komunitetit për rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit”, ka shkruar ajo.

Pacolli ka theksuar se Ministria do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, menaxhimin e përgjegjshëm të pasurive natyrore dhe krijimin e një të ardhmeje më të gjelbër për Kosovën.

Të Ngjashme