Aktuale

Një ditë po, një ditë jo në kazino bashkë me të shoqin, përplasja në gjykatë për 69 mln lekët e ‘zhdukura’, ish-drejtoresha e Postës: Kam 6 fëmijë dhe…

Seanca e së shtunës për masat e sigurisë ndaj tri të dyshuarave për “zhdukjen” e 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës u shoqërua me akuza të forta nga prokuroria dhe kundërshtime të forta nga mbrojtja e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila është gjithashtu anëtare e Këshillit Bashkiak dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës

Sipas organit të akuzës, lëvizja e vlerave monetare është kryer në kundërshtim me rregulloren, pa shoqërimin e detyrueshëm të sigurisë fizike, ndërsa në muajt prill dhe maj janë kryer veprime kontabël që nxorën nga arka qendrore rreth 69 milionë lekë, pa u regjistruar si hyrje në degët e Shijakut dhe Krujës. Prokuroria foli edhe për mandatpagesa të dyshuara të falsifikuara dhe e akuzoi drejtpërdrejt Matajn për përvetësimin e shumës, që u kundërshtua nga ajo dhe mbrojtja, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.

Një tjetër element i paraqitur nga prokurori ishte frekuentimi i kazinove nga ish-drejtoresha dhe bashkëshorti i saj. Sipas akuzës, Mataj rezulton të ketë hyrë 335 herë në kazino në Tiranë, si dhe 27 herë, ose një ditë po, një ditë jo, gjatë periudhës prill-maj kur mungojnë 69 milionë lekët, ndërsa bashkëshorti i saj ka 340 hyrje gjatë muajve të fundit.

Me vendim të prokurorit janë siguruar pamjet filmike të hyrje-daljeve nga dy kazinotë kryesore në Tiranë të çiftit Mataj, ndërsa mbrojtja e konsideroi cenim të jetës private.

Pas seancës gjyqësore dhe pasi u njoh me vendimin e gjykatës, Feta Mataj, bashkëshorti i Elisabetës, tha se ka 8 vjet që frekuentojnë kazinotë dhe nuk ka lidhje ky frekuentim me çështjen e postës.

Mbrojtja e Matajt kërkoi bashkimin e procedimeve penale dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike, duke pretenduar se një pjesë e provave të Mataj nuk janë përfshirë në dosjen e akuzës, gjë që cenon barazinë në proces.

Avokatja Gerta Gorjani kërkoi një masë më të butë sigurie, duke theksuar se Mataj është nënë e 6 fëmijëve dhe duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i largimit. Ajo kundërshtoi edhe pretendimin e prokurorisë se klientja ishte larguar nga Shqipëria nga Kapshtica më 10 korrik për t’iu shmangur drejtësisë, duke sqaruar se hyrja e saj në vend ishte kryer nga pika kufitare e Morinës, e cila nuk regjistrohet në sistemin TIMS sipas marrëveshjeve me Kosovën.

Në mbrojtje u sollën edhe dokumente që, sipas avokatëve, tregojnë se vetë Mataj kishte sinjalizuar prej muajsh, duke nisur që nga marsi, shkelje në sektorin e financës. Sipas tyre, ajo kishte nxjerrë urdhra për kufizimin e hyrjeve në arkë, kishte kërkuar kontrolle, kishte propozuar masa disiplinore për arkëtaren dhe shefen e financës, si dhe kishte informuar vazhdimisht Drejtorinë e Përgjithshme për problematikat e konstatuara, pa marrë reagimin e duhur.

Nga ana tjetër, ish-shefja e financës Valbona Duni deklaroi se paratë janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë kthyer më, ndërsa arkëtarja Paola Dana u shpreh se nuk ka përfituar asnjë shumë dhe se në Postë
“Pa urdhrin e drejtoreshës nuk lëviz as miza. E dinë të gjithë”. Nënë e një fëmije 1.5 vjeç, ajo tha se paratë ia kishte dorëzuar shefes së financës në çdo rast.

Gjykata vendosi “arrest në burg” për Matajn, ndërsa për shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana caktoi masën “arrest në shtëpi”.

Për këtë çështje janë regjistruar tre kallëzime penale: Posta kundër të trijave, Valbona Duni kundër Elisabeta Mataj dhe drejtoresha Mataj kundër Valbona Dunit dhe Paola Danës. Kallëzimet pritet të bashkohen në një procedim të vetëm nga prokuroria./Top Channel

Të Ngjashme