Lajme

Një shtetase kanadeze me origjinë kineze arrestohet në Belgjikë nën dyshimet për spiunazh në NATO

Një shtetase kanadeze me origjinë kineze, e cila ishte praktikante në selinë ushtarake të NATO-s në Belgjikë, është arrestuar nën dyshimet për spiunazh, njoftuan të shtunën prokurorët federalë belgë.

Sipas Prokurorisë Federale të Belgjikës, ajo dyshohet se ka spiunuar në emër të një shteti të tretë dhe se ka qenë pjesë e një organizate kriminale.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e saj, as shtetin apo organizatën për të cilën dyshohet se ka vepruar, shkruan Reuters.

E dyshuara kishte kryer praktikën në Supreme Headquarters Allied Powers Europe (SHAPE), selia më e lartë ushtarake e NATO-s, e vendosur në qytetin Mons të Belgjikës. SHAPE është qendra e Komandës së Operacioneve Aleate dhe përgjegjëse për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve të aleancës 32-anëtare.

Sipas prokurorëve, e dyshuara fillimisht tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së SHAPE, të cilat e raportuan rastin te shërbimet belge të inteligjencës. Më pas, hetuesit kryen kontrolle në banesën e saj dhe në vendin e punës në SHAPE, ndërsa ajo u arrestua të premten.

Një zëdhënës i SHAPE deklaroi se nuk ka asnjë tregues që gatishmëria operacionale e NATO-s, sistemet e komandimit dhe kontrollit apo misionet në zhvillim të jenë prekur nga ky rast.

“SHAPE vazhdon të përmbushë përgjegjësitë e saj pa asnjë ndërprerje,” tha zëdhënësi.

Prokuroria Federale e Belgjikës bëri të ditur se nuk do të japë detaje të tjera, pasi hetimet janë ende në zhvillim

Të Ngjashme