Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një sulm izraelit në Rafah do të shkaktonte “katastrofë” në Lindjen e Mesme

Një sulm izraelit në Rafah, në jug të Gazës, do të shkaktonte katastrofë për civilët, jo vetëm në Gazë, por në mbarë Lindjen e Mesme, tha kreu i grupit të ndihmës, Këshilli Norvegjez për Refugjatë.

Sipas Jan Egeland, një sulm në Rafah, që Izraeli ka paralajmëruar, do të bënte që rajoni të përballej me “numërimin së prapthi për një konflikt më të gjerë”.

Egeland tha për agjencinë Reuters se 1.3 milion civilë që po strehohen në Rafah – përfshirë edhe pjesë e stafit të Këshillit Norvegjez për Refugjatë – po jetojnë “në frikë të jashtëzakonshme” nga një ofensivë izraelite.

Gjatë kësaj jave, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Rafahut, pasi tha se do të evakuojë civilët para sulmit që planifikon të kryejë në këtë vendndodhje, pavarësisht se aleatët kanë paralajmëruar se një sulm i tillë do të shkaktonte viktima të shumta.

Egeland i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të mos kryejë operacion në Rafah.

“Netanyahu, ndaloje këtë. Do të ishte katastrofë jo vetëm për palestinezët, por edhe për Izraelin. Do të jetë njollë përgjithmonë në ndërgjegjen e Izraelit dhe historisë”, tha ai.

“Ne nuk na duhet një luftë e re në Lindje të Mesme. Në këtë moment, ndiej se ky është një numërim së prapthi për një konflikt më të madh”, shtoi ai.

Izraeli po kryen ofensivë tokësore dhe ajrore në Rripin e Gazës për më shumë se gjashtë muaj dhe ka thënë se qëllimi i tij është që të zhdukë Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lufta nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë.

“Gaza është përballur me bombardime më të mëdha sesa Alepo, Raka, apo Mosuli”, tha Egeland, duke iu referuar qyteteve në Siri dhe Irak, që janë përballur me fushata bombarduese të ashpra në dekadën e fundit. /REL/