Aktuale

Një tjetër tërmet i fortë godet Greqinë, lëkundjet ndihen deri në Athinë

Një tërmet me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter goditi pasditen e sotme zonën e Skiathos, duke u ndjerë edhe në rajonin e Atikës.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, epiqendra e lëkundjes u regjistrua rreth 8 kilometra në perëndim të ishullit, me një thellësi fokale prej 14.1 kilometrash.

Ky është tërmeti i dytë brenda pak orësh në të njëjtën zonë. Më herët, pak pas orës 14:00, u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 4.7 Rihter, me epiqendër rreth 7 kilometra në perëndim-veriperëndim të Skiathos dhe thellësi rreth 12 kilometra.

Presidenti i Shoqatës Helenike të Tërmeteve dhe Sizmologjisë, Efthimios Lekkas, tha se tërmeti ndodhi në një çarje sizmike të njohur dhe të studiuar më parë.

“Do të duhet ta monitorojmë fenomenin në orët në vijim, është logjike që nuk frymëzon shqetësim të veçantë”, u shpreh ai për mediat greke.

Ndërkohë, autoritetet lokale bëjnë me dije se nuk janë raportuar dëme apo probleme në ishull pas dy lëkundjeve. Kryetari i bashkisë së Skiathos, Thodoris Tzoumas, konfirmoi se situata mbetet e qetë.

Të Ngjashme