Lëvizja Vetëvendosja ka paralajmëruar mbajtjen e tubimit përmbyllës zgjedhor në pjesën veriore të Mitrovicës, pavarësisht se komuna e asaj zone e ka refuzuar kërkesën e këtij subjekti politik.
Është kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Doli Ferati, ajo që e konfirmoi këtë vendim.
Në një konferencë për media, ajo tha se LVV-ja i ka përmbushur të gjitha procedurat e nevojshme për organizimin e tubimit në sheshin “Korzo” në veri të Mitrovicës, duke siguruar lejet nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës, por se komuna nuk ka dhënë pëlqimin për shfrytëzimin e sheshit.
Doli-Ferati: Vetëm në telefon na është thënë se u refuzua kërkesa, s’u dha arsyetim
“Ftesa për juve është bërë për arsye se ne si Lëvizje Vetëvendosje i kemi bërë të gjitha kërkesat çka duhet për një tubim të mbahet në veriun e Republikës, këtu në Mitrovicë. Kërkesat, siç po i shehni, e kemi bërë me datë të saktë në komunën veriore të Mitrovicës, ku na është refuzuar me një telefonatë dje në ora 16:10… të cilët nuk na japin hapësirën e sheshit, tashmë të quajtur “Korso” këtu. Nuk na kanë jep hapësirën për të mbajtur tubimin përmbyllës këtu në… në veri të Mitrovicës. Lejen e kemi marrë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, kemi marrë lejen nga policia, ndërsa komuna nuk na jep leje për shfrytëzimin e hapësirës. E ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk i bindemi një partie politike siç është Lista Serbe. Kështu që ne, edhe nga kjo konferencë, shfrytëzoj rastin që të bëj thirrje që sot në orën 17:00 qytetarët të na bashkëngjiten në tubimin përmbyllës në veri të Mitrovicës. Në sheshin e veriut në sheshin e veriut të na bashkëngjiten të gjithë së bashku dhe ne këtë tubim do ta mbajmë patjetër” .
Sipas saj, telefonata u bë shumë vonë të premten, duke e pamundësuar rishqyrtimin e kërkesës.
Doli-Ferati: Do ta mbajmë tubimin, nuk presim ndonjë incident
“Nuk ka pasur ndonjë arsyetim tjetër. Domethënë, vetëm në telefon është thënë që ju është refuzuar kërkesa, asnjë arsyetim tjetër. Edhe pse kërkesën e kemi bërë me kohë, gjithçka ka qenë me kohë, kështu që thjesht na e kanë refuzuar kërkesën… domethënë, përmes telefonit është refuzuar. Po, kemi kërkuar. Edhe pse ju thashë që këtë të premte, në 10 minuta në orën 4 na kanë thirrë në telefon, kështu që mos me pasë mundësi as me shku me marrë dokumentin. E sot jemi në ditë vikendi, sot është ditë e shtunë. Jo, nuk presim ndonjë incident. Tubimi do të mbahet me qytetarët e veriut të Mitrovicës. Do të vazhdojmë me këtë tubim, do ta përmbyllim këtu në veriun e Mitrovicës për të vazhduar në tubimin e radhës që e kemi në Prishtinë. Këtu ne kemi kandidatë nga Mitrovica, kështu që unë e di saktësisht që në këtë tubim do të marrin pjesë kandidatët për deputetë të cilët janë në listë nga Mitrovica”– tha Ferati-Doli
Nëse mbahet ky tubim, atëherë do të jetë I pari që një parti shqiptare e Kosovës e organizon në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës.
