Lajme

“Nuk i plotëson kushtet as prej filloristi”, Peci i reagon ashpër Mërgim Lushtakut për Gërvallën: “Axhami i Samisë”

Kryetari i Guxo-s, Faton Peci, ka reaguar ndaj deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, pasi ky i fundit publikoi një fotografi të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, të shoqëruar me flamurin e Serbisë dhe mbishkrimin “Tradhtare e kombit”.

Peci e ka cilësuar postimin e Lushtakut si “kulmi i marrëzisë”, duke kritikuar njëkohësisht diskursin e PDK-së rreth unitetit dhe solidarizimit me ish-krerët e UÇK-së të dënuar në Hagë.

“PDK gjatë ditës, e ka gojën plot unitet, por kur bjen nata, shih se çfarë helmi prodhon”, ka shkruar Peci.

Ai iu referua edhe deklaratës së kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, gjatë protestës, ku sipas Pecit është thënë se protesta ishte në solidarizim me të dënuarit në Hagë dhe jo kundër dikujt. Po ashtu, Peci përmendi edhe thirrjen e djalit të Jakup Krasniqit për eliminimin e dallimeve.

Sipas Pecit, përplasjet politike shfaqen më pas përmes akuzave rreth qëndrimeve ndaj Gjykatës Speciale.

Në reagimin e tij, Peci e ka quajtur Lushtakun “axhamiu i kryetarit faktik të PDK-së, Sami Lushtakut”, ndërsa ka vijuar me kritika të ashpra ndaj tij.

“Për nga niveli i marrëzisë, nuk i plotëson kushtet as prej filloristi. Për nga niveli i poshtërsisë, do të thoja ndryshe: Shumë lart, Axhami!”, ka shkruar Peci.

Të Ngjashme