Aktuale

“Nuk janë studentë! Kjo masë ka nevojë për psikolog”- Nga Rusia tek Antifa, Rama për protestat: Të rinjtë po përdoren nga armiqtë e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Brendshëm Ervin Demo dhe drejtues të Policisë së Shtetit, mbajti një konferencë për shtyp, ku foli për protestën në Tiranë, përplasjet e dhunshme dhe zhvillimet e fundit në kryeqytet.

Gjatë fjalës së tij, Rama akuzoi organizatorët dhe personat që morën pjesë në akte dhune, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë edhe ndikime të huaja. Përveç Antifa-s, Rama përmendi dhe Rusinë si organizatore.

“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, e bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë.

Pashë dje një vajzë nën uniformë, e cila ruante shtetin në bulevard. Kishte përballë një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami, edhe me kufje në vesh, që i drejtohej vajzës nën uniformë me një fjalor rrugaçëror prej burrash të dehur. Një nga simbolet e protestës.

Në asnjë nga vendet e tjera ku po zhvillohen protesta, asnjë parti politike nuk ka dalë të himnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin e një mase kapuçzinjsh të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qorra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë, adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me të cilat godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin.

Dhe pastaj u turren dyqaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.

Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohin në ekranin e telefonit se si disa të tjerë e disa të tjera, që jetojnë me online-in dhe marrin e bëjnë nga dhjetëra mijëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë, të vishen e të jetojnë në luks.

Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe nga armiqtë e Shqipërisë, nga rmiqtë e Shqipërisë, dashakeqësit e Shqipërisë. Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në Bashkimin Europian, që i do studentët shqiptarë të barabartë me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet, si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris, të jetë universiteti i një studenti europian me pasaportën europiane. Rusia nuk i do të gjitha këto dhe nuk është aspak rastësi që babai ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian”, tha Rama.

Të Ngjashme