Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku u diskutua dhe u miratua rikthimi i Vjosa Osmani në këtë subjekt politik.
Mungesa e Hotit në këtë mbledhje është interpretuar si shenjë e pakënaqësisë së tij ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, veçanërisht lidhur me rikthimin e Osmanit në LDK pas disa vitesh largimi.
Pak orë pas mbledhjes, Hoti reagoi përmes një postimi në Facebook, ku falënderoi Degën e LDK-së në Rahovec për besimin që t’i jepet sërish kandidatura për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
“Ky vlerësim është përgjegjësi dhe obligim për të vazhduar rrugën politike me dinjitet, përkushtim dhe besnikëri ndaj frymës rugoviane dhe vlerave të LDK-së”, shkroi ai.
Në reagimin e tij, Hoti theksoi se LDK-ja është më e madhe se çdo individ.
“Emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor. Asnjë individ nuk mund të jetë mbi LDK-në, sepse forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj e lavdishme”, deklaroi ai.
