Lajme

“O sot, o kurrë”! Bytyçi thirrje Kosovës të bashkohet me protestat kundër Ramës: Shqipëria në prag katastrofe

Prej tri ditësh, Shqipëria është përfshirë nga protesta masive, ku në qendër të revoltës janë të rinjtë shqiptarë. Ata po kundërshtojnë klasën politike dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestat kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e mbrëmjes, me pjesëmarrjen e të rinjve, prindërve dhe aktivistëve. Tubimet janë shoqëruar me përplasje të dhunshme me policinë, e cila ka përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Revolta nuk është kufizuar vetëm në Tiranë. Edhe qytete të tjera të vendit i janë bashkuar protestës, ndërsa gjimnazistë dhe studentë kanë braktisur mësimin për të dalë në rrugë dhe për të kërkuar të drejtat e tyre, si dhe një të ardhme më të mirë.

“Rama, jep dorëheqjen!”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet që kanë dominuar protestat, duke shprehur pakënaqësinë e të rinjve ndaj klasës politike shqiptare.

Ndërkohë, gjatë përplasjeve janë regjistruar edhe dëme materiale, përfshirë dëmtimin e infrastrukturës, djegien e institucioneve dhe të disa bizneseve. Dhjetëra protestues janë shoqëruar nga policia, në disa raste me forcë.

Pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve, revolta e të rinjve shqiptarë pritet të vijojë edhe sot, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe dorëheqjen e Ramës do të marrin ndonjë përgjigje nga institucionet.

Profesor, doktor Enver Bytyçi, thotë se targeti i kësaj proteste është vetë kryeministri.

Thelbi i protestës sipas profesorit, është dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit.“Është dita e tretë që studentët dhe tashmë edhe nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave të tjera i janë bashkuar një proteste të fuqishme kundër politikave antikombëtare dhe shkombëtarizuese të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Target i kësaj proteste është vetë kryeministri. Studentët dhe rinia shqiptare kërkojnë një ndryshim drastik të qeverisjes dhe mbrojtjen e interesave kombëtare e qytetare nga institucionet e vendit. Sot protesta u përhap edhe në rrethe. Në Durrës u shfaq e njëjta pamje si edhe në Tiranë. Tirana prej tri ditësh është në flakë, por sot edhe Durrësi e Korça dëshmuan se rrezikohen nga flakët, nëse nuk ka dorëheqje të Edi Ramës. Thelbi i protestës është dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit. Ai sot në një paraqitje publike i dënoi protestat si “akte vandalizmi”! Në fakt vandalizmi në i madh i ka ardhur Shqipërisë nga grabitja e pasurive tona kombëtare nga banda në pushtet dhe organizata kriminale e kryesuar prej Edi Ramës. Nuk ka protestë dhe as kryengritje që ta dëmtojë Shqipërinë më shumë se kjo qeverisje e babëzitur për pushtet e pasuri dhe e përkushtuar për t’ua dhënë pasuritë tona të huajve. Edi Rama i tha sot gjithashtu ROJTER-it se nuk do të japë dorëheqjen. Por tashmë dorëheqja e Edi Ramës nuk është në dorën e tij. Përballja bëhet midis rinisë dhe studentëve nga njëra anë dhe organizatës kriminale e kartelave të drogës në Shqipëri”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

 

Bytyçi protestat i quan revolucion, gjersa thekson se ato duhet të shihen si akte progresive dhe garanci për të ardhmen e vendit tonë.

“Protestat e studentëve, nxënësve dhe rinisë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë janë revolucioni i parë historik në vendin tonë, që adresohet te ringritja jonë kombëtare. Ka pasur përpjekje të dhunshme shumë herë në Shqipëri për të rrëzuar regjime e ndërruar sisteme, por asnjëherë nuk ka pasur një revolucion si ky për ta ngrit Shqipërinë në nivelin e kombeve të përparuara evropiane. Prandaj dhe protestat duhen parë si akte progresive dhe garanci për të ardhmen e vendit tonë. Prej këtij momenti Shqipëria mund të shpresojë se do të ndalet emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit dhe do të frenohet imigrimi i aziatikëve dhe afrikanëve në këtë vend”, pohon profesori.

Solidariteti i rinisë, studentëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, sipas Bytyçit, është i rëndësishëm.

Sipas tij, ka ardhur momenti që Kosova të dëshmojë të njëjtin qëndrim ndaj vëllezërve të tyre në Shqipëri, sikur shqiptarët e Shqipërisë që nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj protestave dhe zhvillimeve në Kosovë.

“U ndala pak gjatë ndoshta në atë që po ndodh në Shqipëri dhe për motivet e këtij revolucioni klasik, sepse dua të them se përballë një regjimi anti-kombëtar tashmë është vënë rinia shqiptare. Zgjimi i kësaj rinie dhe sakrifica e saj janë gjëja më e bukur që ka ndodhur në tri dekadat e fundit, pasi që shqiptarët e Shqipërisë e patën humbë shpresën se vendi ynë mund të dalë nga kolapsi i plotë dhe falimentimi i sigurt kombëtar. Për këtë arsye solidariteti i rinisë, studentëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës është shumë i rëndësishëm. Shqiptarët në Shqipëri asnjëherë nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj protestave dhe zhvillimeve në Kosovë. Ka ardhur momenti që Kosova të dëshmojë të njëjtin qëndrim ndaj vëllezërve të tyre në Shqipëri. Qëndrimi indiferent i Kosovës ndaj këtyre protestave dhe ngjarjeve në Tiranë dhe kudo në vendin tonë është i dëmshëm dhe i papranueshëm”, shprehet Bytyçi.

Nuk ka arsye që shqiptarët në Kosovë të heshtin e të bëjnë indiferentin, shton Bytyçi.

“E di se çdo solidaritet i Kosovës në Shqipëri do të pritet me reagime të ashpra nga krerët e regjimit anti-shqiptar të Tiranës. Por kjo nuk është arsye që shqiptarët në Kosovë të heshtin e të bëjnë indiferentin. Protestat e Tiranës që po shtrihen në gjithë vendin, deri në Kuksës, hapin së parin e një bashkimi të ri midis të dy shteteve tona. Ato duhen parë si reagim edhe kundër politikave anti-kosovare të qeverisë Rama dhe vetë kryeministrit. Ato duhen vlerësuar si ndihmesë e madhe për shtetplotësimin e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Prandaj, nëse Kosova, rinia e studentët e saj, ngrihen për të mbështetur vëllezërit e motrat e tyre në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë, Elbasan, Kukës e kudo, duhet ta dinë se ndihmojnë ardhmërinë e kombit shqiptar në Ballkan”, nënvizon profesori.

Në fund, ai thotë se më e mira do të ishte qoftë edhe një ditë shkuarje në Tiranë me qëllim pjesëmarrjen aktive kundër regjimit të Edi Ramës.

Frika për akuza se “po ndërhyhet në punët e brendshme të Shqipërisë” është jo arsyeshme, thekson Bytyçi.

“Ndihma dhe solidariteti i Kosovës dhe rinisë së saj ndaj protestave antiqeveritare në Shqipëri mund të bëhet në forma të ndryshme. Më e mira është një organizim ekselent për paralajmëruar ardhjen qoftë dhe një ditë në Tiranë, me qëllim pjesëmarrjen aktive kundër regjimit të Edi Ramës. Nëse ndodh kjo, atëherë entusiazmi dhe vendosmëria e protestuesve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë do të rritej në maksimum. E ndërkohë forca e shumëfishuar e përbashkët Shqipëri-Kosovë do ta vinte kryeministrin shqiptar para detyrimit për dorëheqje. Dorëheqja është qëllimi parëso, por jo përfundimtar. Pas dorëheqjes protestuesit kërkojnë ndryshimin e ligjeve anti-kombëtare nga ky parlament që i ka miratuar ato. Pa mbështetjen e studentëve të Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt, Mitrovicës, Gjilanit etj., nuk do të arrihet aq lehtë qëllimi i protestuesve në Shqipëri. Por solidariteti i rinisë dhe studentëve të Kosovës mund të realizohet edhe me protesta solidarizuese në qytetet përkatëse që përmenda më lart. Frika për akuza se “po ndërhyhet në punët e brendshme të Shqipërisë” është jo e arsyeshme. Çdo logjikë racionale e kupton se solidariteti është gjithmonë mjet dhe formë e realizimit të qëllimeve të përbashkëta kombëtare. O sot, o kurrë. Shqipëria është në prag katastrofe. Ose ajo i shpëton kësaj katastrofe të paimagjinueshme për tjetërsimin e atdheut tonë, ose e shpëtojmë njëherë e përgjithmonë. Solidariteti i Kosovës si edhe i rinisë shqiptare e studentore në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e kudo është mjet force e shtuar për protestuesit në Tiranë”, përfundon profesori.

Të Ngjashme