Ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë në një konferencë për shtyp të enjten se kërcënimi më i gjerë për shëndetin publik nga shpërthimi i hantavirusit i lidhur me anijen turistike MV Hondius mbeti i ulët.
“Ky nuk është fillimi i një epidemie. Ky nuk është fillimi i një pandemie. Ky nuk është Covid”, u tha gazetarëve Dr. Maria Van Kerkhove, drejtoreshë e agjencisë për përgatitjen dhe parandalimin e epidemive dhe pandemive.
Të enjten u bë e ditur për herë të parë se të paktën 29 pasagjerë nga 12 kombësi u larguan nga anija MV Hondius më 24 prill pas aksidentit të parë me pasojë vdekjen, duke nxitur një përpjekje për të identifikuar dhe ndjekur lëvizjet e tyre që atëherë.
OBSH-ja tha se pesë nga tetë rastet e dyshuara të lidhura me anijen ishin konfirmuar dhe se mund të identifikohen raste të tjera, raporton Guardian.
“Duke pasur parasysh periudhën e inkubacionit të virusit të Andeve, e cila mund të jetë deri në gjashtë javë, është e mundur që të raportohen më shumë raste”, tha drejtori i përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp.
“Ndërsa ky është një incident serioz, OBSH-ja e vlerëson rrezikun për shëndetin publik si të ulët”, shtoi ai.
