Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ekzistojnë dy arsye kryesore pse Kosova ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Osmani tha se arsyeja e parë lidhet me mospajtimet që kanë ekzistuar mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për disa çështje.
“Janë dy arsye kryesore. E para, sepse ka pasur mospajtime për disa çështje me qeverinë dhe ata prisnin që këto mospajtime të tejkalohen në mënyrë që Kosova dhe BE-ja të ulen dhe të flasin për këta hapa substancialë që kërkojnë mbështetje politike”, tha ajo.
Sipas Osmanit, arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Dhe problemi i dytë ka qenë që për të kaluar dosja apo aplikacioni i Kosovës nga Këshilli tek Komisioni, pra për ta mandatar Këshilli Komisionin duhej të pajtoheshin edhe disa prej shteteve anëtare të BE-së që akoma s’e kanë njohur Kosovën. Por siç e diskutuam me presidentin Costa sërish ne rikujtuam takimin që e kemi pasur në dhjetor ku ne me ndihem e liderëve të BE-së jemi angazhuar edhe me shtetet jo njohëse dhe ka pasur shkëndija pozitive prej tyre, dhe ka pasur shpresë të mëdha që do të mund ta bënim këtë hap. Tani kriza që u krijua panevojshëm me këto zgjedhje e ka zvarritur këtë proces”, u përgjigj Vjosa Osmani.
