Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë në largim për, siç tha ai, përkeqësimin e kushteve të jetesës dhe punës për qytetarët e vendit.
Sipas Haradinajt, qeveritë e përgjegjshme duhet të punojnë për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, ndërsa aktualja ka vepruar në drejtim të kundërt. Ai theksoi se qytetarët përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe një standard që mbetet ndër më të ulëtit në rajon.
Ai shtoi se paga minimale është shndërruar më shumë në një formë asistence, ndërsa paga mesatare mezi arrin të mbulojë nevojat bazike të një familjeje. Sipas tij, vështirësitë janë të njëjta si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ndërsa presioni ekonomik vazhdon të rritet.
Haradinaj vlerësoi se shumë punëtorë kanë humbur shpresën dhe se të rinjtë po e shohin largimin nga vendi si mundësinë e vetme për një jetë më të mirë.
Në fund, ai uroi të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës me rastin e Dita Ndërkombëtare e Punës, duke shprehur shpresën për ditë më të mira, me më shumë dinjitet dhe mundësi brenda vendit.
