Lajme

Pak ditë para zgjedhjeve, vjen parashikimi i fortë për partitë politike: LVV mbi 50 për qind, ndërsa opozita…!

Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen këtë të diel, më 7 qershor. Atmosfera politike në vend është intensifikuar ndjeshëm, ndërsa partitë kryesore po përpiqen të mobilizojnë elektoratin dhe të paraqiten si alternativa serioze për drejtimin e shtetit në mandatin e ardhshëm.

Në deklaratat e tyre publike, si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ashtu edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shprehin ambicie për të dalë fituese dhe për të marrë drejtimin e vendit pas zgjedhjeve. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mbetet forca dominuese në skenën politike, duke pasur parasysh rezultatin e saj të fundit zgjedhor, ku vetëm pak muaj më parë siguroi mbi 50 për qind të votave të qytetarëve.

Kjo situatë ka ngritur një sërë pyetjesh mbi realitetin politik dhe balancën e forcave në garën elektorale.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Agim Aliçkaj.

Fillimisht, ai kritikoi partitë opozitare dhe synimet e tyre për ta larguar Kurtin dhe LVV nga pushteti, ndonëse sipas tij, përkrahja e popullit për këtë të fundit vetëm sa po rritet.

Image
Agim Aliçkaj

“Që nga humbja e zgjedhjeve të shkurtit 2021, përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë deklarata të shumta naive dhe joreale se do ta largojnë LVV-në dhe Kryeministrin Kurti nga qeverisja, madje edhe nga jeta politike e Kosovës. Mirëpo, po ndodh e kundërta: Kryeministri Kurti dhe koalicioni i tij po e shtojnë përkrahjen e qytetarëve, ndërsa opozita po e zvogëlon atë.

Shumica e popullit i largoi nga qeverisja sepse ishte e pakënaqur me punën e tyre, për shkak të korrupsionit të pakufishëm, servilizmit ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrimit ndaj kërkesave armiqësore serbe. Në vend që ta kuptojnë arsyen e vërtetë të humbjeve, të reflektojnë dhe të ndryshojnë, ata vazhdojnë me të njëjtat qasje, pa program dhe pa vizion për të ardhmen”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Aliçkaj përmendi edhe kritikat dhe akuzat ndaj qeverisë Kurti, ku vlerësoi se ato nuk qëndrojnë.

Madje, konsideron se opozita po vazhdon ta kërkojë fajtorin për dështimin e saj, tek të tjerët, si te mërgata, Kurti, por jo tek vetja.

“Ata vazhdojnë me shpifje, ofendime dhe kritika pa bazë, madje edhe ndaj arritjeve më të mëdha dhe më të dukshme të qeverisjes Kurti, veçanërisht për çlirimin e veriut të Kosovës nga bandat serbe, bllokadat dhe strukturat paralele të instaluara nga regjimi serb gjatë qeverisjes së tyre.

Ata vazhdojnë ta kërkojnë fajtorin për dështimet e tyre kudo tjetër, por jo te vetvetja. Sipas tyre, fajtore e parë është mërgata e “paedukuar” dhe e “mashtruar” nga Kryeministri Kurti. Shkojnë deri aty sa të deklarojnë se mërgatës duhet t’i mohohet e drejta e votës. Më pas vazhdojnë ta fajësojnë edhe shumicën e popullit, i cili, sipas tyre, është po ashtu “i mashtruar” nga Kurti.

Dhe pastaj habiten pse populli nuk i mbështet dhe nuk i voton, pse nuk dëshiron të kthehet te qeverisja e tyre me organizatën armiqësore “Lista Srpska”, te pasiguria dhe kontrolli i pjesëve të Kosovës nga grupet kriminale. Ata përpiqen kot ta fajësojnë Kryeministrin Kurti për bllokimin e funksionimit të shtetit, të cilin në fakt e shkaktojnë vetë. Janë të gatshëm ta dëmtojnë shtetin vetëm për të ardhur në pushtet”, nënvizoi ai.

Më tej, veprimtari shqiptar theksoi se është e kuptueshme dëshira e partive opozitare për të fituar në zgjedhjet e 7 qershorit, por konsideron se pretendime të tilla janë jo reale, madje nganjëherë edhe qesharake, pasi realiteti është ndryshe.

“Dëshira dhe synimi i partive opozitare për të dalë fituese në zgjedhje është i kuptueshëm, por kjo nuk mund të arrihet me pretendime joreale, me deklarata të stërmadhuara dhe, herë pas here, edhe qesharake. Këto janë përpjekje të kota për të krijuar perceptimin e një force të barabartë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Realiteti është krejt ndryshe. Populli i Kosovës është i vetëdijshëm dhe i mençur; ai i kupton veprimet e një opozite jokonstruktive dhe të dëmshme për shtetin. Qytetarët presin programe reale dhe rezultate konkrete, jo bojkote e bllokada dhe kundërshtim të vazhdueshëm të çdo veprimi të Kryeministrit Kurti”.

Në fund, ai parashikoi se LVV do kalojë sërish 50 për qindshin e votave, derisa vlerësoi se qytetarët do ndëshkojnë partitë e tjera për gjithë bllokadën e krijuar muajt e fundit.

“Pritjet reale janë që edhe në zgjedhjet e 7 qershorit Lëvizja Vetëvendosje të kalojë mbi 50 për qind dhe të mbetet forca dominuese politike në Republikën e Kosovës. Ndëshkimi me votë i shkaktarëve të bllokimit të institucioneve mbetet shpresa më e madhe për zhvillimin dhe forcimin e shtetit.

Pas këtyre zgjedhjeve, është momenti i fundit që të gjitha forcat politike të Kosovës të zhvillojnë konkurrencë pozitive, të mos merren vetëm me njëra-tjetrën, por të përqendrohen në përballjen me Serbinë hegjemoniste. Ata që nuk e bëjnë këtë do të gjykohen nga historia”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme