Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pala serbe refuzoi bashkëpunimin, Qeveria: Takimi i radhës në Bruksel pas dy javësh

Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel, njoftoi Qeveria e Kosovës pas takimit të sotëm që përfundoi pa rezultat.

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje.

“Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licensimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”. Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

“Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vet serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Postanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo”, tha Bislimi.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.

Pas takimeve në Bruksel, Lajçak tha se bisedimet e së enjtes ishin për gjetjen e një zgjidhjeje “të përkohshme” për personat që janë prekur nga BQK-ja.

“Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.