Tri dekada e gjysmë pas rënies dhe shkatërrimit të Vukovarit, një prej ngjarjeve më tragjike të luftërave në ish-Jugosllavi, kërkesa për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve po merr mbështetje edhe në institucionet evropiane.
Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë përmes së cilës nderon viktimat e vrara gjatë rënies së qytetit kroat dhe i bën thirrje Serbisë të hapë arkivat shtetërore, për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të mijëra personave të zhdukur gjatë luftës për pavarësinë e Kroacisë.
Rezoluta u miratua të enjten, gjatë një seance plenare në Strasburg, ku u dënua gjithashtu glorifikimi dhe nderimi i kriminelëve të luftës.
Kjo është rezoluta e parë e këtij lloji kushtuar posaçërisht Vukovarit, ndërsa iniciativa erdhi nga eurodeputetët kroatë.
Përmes këtij dokumenti, Vukovari cilësohet si një pjesë e rëndësishme e kujtesës dhe historisë së përbashkët evropiane.
Dokumenti vendos luftërat e viteve të nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi në kontekstin e konflikteve të tjera historike dhe bashkëkohore, duke përmendur edhe luftën në Ukrainë dhe duke bërë një lidhje simbolike mes tragjedive të Vukovarit dhe Srebrenicës.
Votimin në Strasburg e ndoqën nga afër edhe banorë të Vukovarit, familjarë të personave të vrarë e të zhdukur, si dhe ish-të burgosur të kampeve të luftës, të cilët kishin udhëtuar me ftesë të eurodeputetit kroat, Karlo Ressler, raportojnë mediat kroate.
Drafti i rezolutës u kundërshtua më parë nga Lista e Studentëve në Serbi të cilët argumentonin se dokumenti nuk i përmend krimet e kryera ndaj popullsisë serbe.
Kroacia është ende në kërkim të 1 mijë e 725 personave të zhdukur gjatë Luftës Atdhetare, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve lidhen me Vukovarin dhe rajonin e Danubit kroat.
