Lajme

​Partitë parlamentare reagojnë pas kritikave të Marta Kos për ligjin e Speciales

Partitë parlamentare në Kosovë kanë reaguar pas deklaratës së komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e cila kritikoi ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuar nga Kuvendi më 6 tetor.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se Kosova duhet t’ua sqarojë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian qëllimin dhe përmbajtjen e ligjit. Ajo theksoi se vendi nuk synon t’i shmanget drejtësisë, por që, sipas saj, procesi të kthehet në binarë të drejtë.

Ajo, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, u shpreh e bindur se përmes dialogut do të mund të arrihet mirëkuptim me Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e sqarimit të asaj që synon ky ligj. Sipas saj, ndonjëherë është normale të ketë mospajtime me miqtë ndërkombëtarë.

Çitaku pas reagimit të BE-së për ligjin për Specialen: Ndonjëherë është normale të kemi mospajtime me miqtë

“Është normale që ndonjëherë me miqtë të kemi mospajtime, mirëpo po besoj se do të kemi kohë të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe t’ua sqarojmë vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kosova me ligj dhe vullnet kërkon drejtësi. Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë. Kosova është partner. Partnerët diskutojnë, debatojnë dhe unë jam e bindur që në fund do të ketë pajtueshmëri. Është e rëndësishme të sqarojmë me BE-në thelbin e këtij ligji. Çfarë ai ligj kërkon dhe çfarë ai ligj synon. Nuk kërkon ikje nga drejtësia, përkundrazi kërkon drejtësi”, tha ajo.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, tha se reagimi i Marta Kos është në vazhdën e qëndrimeve të mëparshme të Bashkimit Evropian.

Tahiri theksoi se Kuvendi e ka miratuar ligjin dhe se Aleanca mbetet e përkushtuar për të mbështetur katër ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Tahiri: Pavarësisht reagimeve ndërkombëtare, mbetemi të përkushtuar për t’i mbështetur katërshen e UÇK-së

“Ajo çka mund të them rreth reagimit të komisioneres Kos është thjesht një reagim i Bashkimit Evropian në vazhdimësi të asaj që ka ndodhur me deklaratën e BE-së. Kuvendi ka miratuar një ligj, ne zotohemi që si Kuvend të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i mbështetur katër çlirimtarët në Hagë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se pushteti kishte shprehur rezerva lidhur me ligjin për Specialen.

Megjithatë, ajo shtoi se, pavarësisht rezervave, LVV-ja u ka dhënë mbështetje deputetëve që kanë vlerësuar se kjo ishte rruga e duhur për adresimin e çështjes.

Nagavci theksoi se përgatitjet për fazën e Apelit duhet të bëhen përmes një strategjie shtetërore dhe se çështja kërkon koordinim e veprim institucional, por nuk tregoi se kur do të nisë koordinimi mes institucioneve për këtë çështje. Sipas saj, qëllimi i përbashkët mbetet mbrojtja e qëndrimit se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se Serbia kreu agresion dhe gjenocid.

“Kemi shprehur rezerva për ligjin”, Nagavci reagon pas kritikave të BE-së

“Sa i përket projektligjit, ne si LVV, edhe në seancë, me fjalimin që kam pasur, por edhe kryeministri Kurti, ne kemi shprehur rezervat tona në raport me adresimin e këtyre çështjeve me projektligj. Gjithsesi, siç e kemi thënë, ne u kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se është rruga e duhur, kështu që në këtë pikë na nevojitet një koordinim për të adresuar qëllimin e përbashkët që e kemi, se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë, e pastër dhe se agresion dhe gjenocid ka kryer Serbia. (A ka nisur koordinimi?) Përgatitjet për Apel duhet të adresohen përmes strategjisë shtetërore. Ne kemi shprehur këtë edhe një pajtueshmëri me deklaratën që kemi miratuar në Kuvend. Kjo është çështje e një veprimi institucional”, tha ajo.

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar të hënën Kosovën për vendimin e Kuvendit për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, duke e quajtur këtë vendim të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

Ajo e ka thënë këtë në një prononcim në prag të nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet në Luksemburg, ku zgjerimi është një prej temave të diskutimeve. 

Të Ngjashme