Lajme

Pas 29 vitesh, pronari rikthen pronën në Zubin Potok

Pas gati tri dekadash, pronari i një shtëpie në Varagë të Zubin Potokut ka marrë sërish çelësat e pronës së tij. Prona është liruar nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me asistencën e Policisë së Kosovës. Sipas Agjencisë, gjatë dy viteve të fundit janë liruar rreth 80 prona në veri të vendit.

Pas gati tri dekadash, pronari i kësaj shtëpie në Varagë të Zubin Potokut ka marrë sërish çelësat e pronës së tij.

Lirimi i pronës është bërë nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me kërkesë të pronarit dhe me asistencën e Policisë së Kosovës.

“Procedura ka shkuar si zakonisht, sipas procedurave tona. Së pari ka qenë vërejtja që duhet me e liru pronën vullnetarisht. Nëse nuk e lirojnë vullnetarisht uzurpatorët, atëherë vijmë ne dhe, me asistencën e Policisë së Republikës së Kosovës, e kryejmë punën tonë dhe e lirojmë pronën”, tha Erblin Macula, AKKVP.

Sipas Agjencisë, gjatë rreth dy viteve janë liruar afërsisht 80 prona në veri të vendit. Në komunën e Zubin Potokut, kjo është prona e tetë e liruar nga Agjencia. Nga kjo e fundit thonë se pronat lirohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike të pronarëve. Në rastin e sotëm, familja e pronarit të shtëpisë ishte larguar nga zona në vitin 1997. Sipas pronarit, pas luftës, qasja në këtë pjesë kishte qenë e pamundur për një periudhë të gjatë, duke pamundësuar edhe vizitat dhe kthimin në pronë. Pas verifikimit dhe krahasimit të të dhënave të pronësisë nga Agjencia, pronari sot ka marrë çelësat e shtëpisë.

“A jam i gëzuar? Shumë, shumë, sepse pas kaq vitesh është vërtet e papritur. Relativisht mirë, edhe pse ka dëmtime të mëdha, por me kohë edhe ajo rregullohet. Më së fundi, i falënderoj Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave për punën e tyre që e kanë bërë çdo ditë, si dhe Policinë e Kosovës që i ka asistuar kësaj pune dhe që na ka falë mundësinë të jemi kthyer aty”, theksoi Edin Hadroviq, pronar.

Shtëpia ka nevojë për ndërhyrje dhe riparime, por për pronarin, më e rëndësishmja është rikthimi i saj pas kaq shumë vitesh. Pas 29 vitesh, çelësi i kësaj shtëpie në Varagë është sërish në duart e pronarit..

Të Ngjashme