Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas dy ngjarjeve të rënda që tronditën këtë komunë, ku brenda pak ditësh u shënuan dy vrasje të dyshuara, përfshirë vrasjen e dyfishtë të së premtes dhe një rast tjetër me pasojë humbjen e jetës sonte.
Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, me qëllim koordinimin e masave për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla, përcjell “Bota sot”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi, maturi dhe bashkëpunim me organet e rendit.
Reagimi i plotë
Të dashur qytetarë të Gjilanit,
Komuna jonë po përballet me një situatë të rëndë pas dy ngjarjeve tragjike. Pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, qyteti ynë u prek përsëri sonte nga një tjetër incident me pasojë humbjen e jetës.
Në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këto dy ngjarje, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.
Për të adresuar këtë gjendje, nesër në mëngjes do të thërras në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi. Së bashku me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe të gjitha organet e rendit dhe të ligjit, do të koordinojmë hapat e menjëhershëm për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në çdo pjesë të komunës sonë.
Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional. Komuna e Gjilanit do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.
I ftoj të gjithë qytetarët për maturi, qetësi dhe bashkëpunim të plotë me organet e rendit.
