Një zjarr i përmasave të mëdha u regjistrua pasditen e 13 korrikut në një nga gjiret më të bukura të Detit Jon, në zonën e Himarës. Flakët shkrumbuan kodrën nga ana veriore e Llamanit, teksa e gjithë zona është me pemë të vogla dhe shkurre.
Mediat raportuan se zjarrfikeset e Himarës, por edhe ato të qyteteve fqinje, shkuan me shpejtësi për të kontrolluar flakët, duke qenë se poshtë në Gjirin e Llamanit operojnë disa biznese, të kontrolluara plotësisht nga Arben Muçobega, ndërkohë që nga ana tjetër e kodrës, në drejtim të rrugës dhe qytetit, janë hotele dhe banesa private.
Duke qenë se e gjithë zona është bregdetare, kodrinore e shkëmbore, ndërhyrja e zjarrfikëseve ishte tejet e vështirë, kjo edhe për shkak të temperaturave të larta apo erërave të forta, ku synimi është gjithmonë të mos ketë viktima apo dëmë në pronë.
Në foto: Kodra në Llaman e mbuluar nga tymi, pasditen e datës 13 korrik 2026
Po sikur ky zjarr të jetë i qellimshëm?! Dokumentet që ka hulumtuar dhe kontrolluar Vox News tregojnë se në kodrën që ra zjarri i madh do të ngrihet një super resort, sërish i kontrolluar nga biznesmeni Arben Muçobega. Në vitin 2025, qeveria zbardhi një leje zhvillimi, për një sipërfaqe të madhe prej 101.200 metra katrorësh, pikërisht në kodrën ku u regjistrua zjarri i datës 13 korrik 2026.
Zona ku do të ngrihet resorti është shkëmbore, normalisht që s’duhet të kishte pronar, pasi është e pashfrytëzueshme dhe tërësisht në afërsi dhe pjerrësi të madhe drejt detit Jon. Mësohet se Muçobega ka përgatitur me shpejtësi dokumentet për të marrë atë pikën e “voçkël”, teksa leja është në tryezën e qeverisë, duke kaluar edhe disa etapa, ku ka ngelur së fundi edhe leja e ndërtimit.


Në foto: Projekti ‘Amantes’ që gllabëron të gjithë kodrën shkëmbore ngjitur me Gjirin e Llamanit
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, qeveria ka miratuar disa kohë më parë lejen e zhvillimit për projektin “Amantes”, në Bashkinë Himarë, një “resort multifunksional, hotel, vila dhe shërbime me subjekt ndërtues shqoëritë ‘Capital B’ dhe ‘Bega 07’”. Firma Bega 07 ka si pronar biznesmenin Arben Muçobega, i akuzuar edhe nga eksponentë të opozitës për lidhje të dyshimta, qoftë me botën e krimit ashtu edhe me politikën.
“Projekti i resortit me 5 yje ‘Amentes’ do të zhvillohet në zonën e plazhit të Llamanit, në kufi me plazhin e Himarës, në Bashkinë Himarë,e cila ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë” thuhet në lejen e zhvillimit. Sipas saj, resorti “Amantes” shtrihet në kodrën përbri plazhit të Llamanit, ndërkohë që peisazhi ekzistues ka një topografi të pjerrët që shtrhet nga maja e kodrës në det, duke ofruar shtigje dhe pamje mbresëlënëse.
Në dokumente shkruhej se prona aktualisht është bosh dhe e pashfrytëzuar, por në pjesën më të ulët të saj, në afërsi të plazhit të Llamanit, ndodhen disa objekte të ulta kryesisht 2-3 kate. Këto objekte janë ndërtime që i shërbejnë funksionit të turizmit bregdetar veror.


Në foto: Projekti parasikon 50 vila, hotel lukzos dhe restorante në të gjithë kodrën
Mësohet se në atë resort do të bëhet hotel luksoz, vila, apartamente dhe zona e ndërmjetme komerciale, përfshirë restorantet, hapësirat e mirëqenies dhe zonat e komunitetit që përmirësojnë përvojën turistike.
Më tej shkruan se vilat ndjekin një koncept “stackingstone”, i projektuar për të minimizuar gërmimet dhe për të ruajtur topografinë e kodrës. “Masterplani parashikon 50 vila të shpërndara në terren në grupime 2 apo 3 vilash. Të gjitha këto grupime përfshijnë 1 vilë të madhe (apo 2 vila të mëdha në rastin e grupimeve 3-she) dhe 1 vilë të vogël” thuhet në dokument.
A mos vallë zjarri dhe flakët i hapën vendin kantierit të resortit të Arben Muçobegës? Nëse ka qenë i qellimshëm, a do të dalë me ndonjë raport MZSH-ja, raport i cili mund të përdoret edhe në KKTU?! Ka pak gjasa të ndodhë, pasi në çdo vend turistike që ka pasur nën flakë apo ruspa për të prishur ndërtime me dru, kanë “lindur” resorte luksoze./Vox News
