Lajme

​PD mban protestën kombëtare para Kryeministrisë

Partia Demokratike mban këtë mbrëmje protestën kombëtare, e cila është e disata për këtë vit që nga fillimi i serisë së protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Tubimi ka nisur rreth orës 19:30 në sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në sheshin para Kryeministrisë nuk është vendosur foltore e improvizuar siç ka ndodhur në protestat e mëparshme. Protesta pritet të jetë në formën e marshimit siç ka ndodhur në disa nga protestat e mëparshme.

Në marshimet e mëparshme protestuesit kanë protestuar duke e shoqëruar me goditje ndaj institucioneve shtetërore me objekte të ndryshme.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha bashkë me deputetë të tjerë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

Protesta fokusohet kryesisht te akuzat për korrupsion të lartë, keqqeverisje, çmime të larta, krizën ekonomike, emigracionin masiv dhe izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ndërkaq policia e Shtetit ka marrë masat e sigurisë rreth zonës së Kryeministrisë, ku është paralajmëruar bllokim i pjesshëm i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugëve përreth, ndërsa lëvizja dhe parkimi janë të kufizuara.

Të Ngjashme