Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në sallën plenare të Kuvendit të mërkurën, deputetët e këtyre dy partive akuzuan LVV-në se qëllimshëm po bllokon formimin e institucioneve të reja.
Në emër të PDK-së, deputeti Arian Tahiri, tha se LVV-ja, përmes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, po e fut vendin dhe shoqërinë në anarki.
“Është një ditë që publiku dhe qytetarët e Kosovës janë duke e parë që dyert e Kuvendit po mbyllen dhe Kuvendi po bllokohet… Organizatë banditeske, e cila është e mveshur me petkun e pushtetit dhe përmes pushtetit po e çon në rendin kushtetues dhe po tenton të futë shoqërinë dhe vendin tonë në anarki”, tha ai.
Po ashtu, edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, mos-thirrjen e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë e konsideroi si cenim të sovranitetit dhe rendit kushtetues.
“Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura. Ne që jemi këtu jemi të zgjedhur, ndërkaq bllokimi i Kuvendit të Kosovës është cenim i sovranitetit dhe rendit kushtetues. Ne nuk do të lejojmë që në asnjë mënyrë të dhunohet e drejta e qytetarëve për të pasur institucione”, shtoi ai.
