Lajme

​“PDK do të udhëheqë qeverinë e ardhshme”, Beqa optimist për zgjedhjet e 7 qershorit

Partia Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme, thotë kandidati për deputet i kësaj partie, Hajdar Beqa.

Ai vlerëson se gara kryesore në zgjedhjet e 7 qershorit do të zhvillohet mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, të dyja partitë aktualisht qëndrojnë në nivele të përafërta të mbështetjes qytetare, me rreth 30 për qind secila, derisa konsideron se rrethanat politike në vend nuk i japin më mundësi LVV-së që të synojë rezultate dominuese si në të kaluarën.

Beqa në intervistën zgjedhore të KosovaPress thotë se PDK-ja ka një listë “kredibile dhe kompetente”, me kandidatë të dëshmuar profesionalisht dhe politikisht, derisa vlerësoi se kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, po garon për ta zhbllokuar Kosovën dhe për t’i dhënë vendit institucione funksionale pas zgjedhjeve.

Partia Demokratike ka një listë kredibile, kompetente, me njerëz të dëshmuar, me kandidatë dhe kandidate të dëshmuar gjatë gjithë jetës së tyre. Ja, e ka një kandidat për kryeministër i cili nuk garon për ta bllokuar Kosovën pas 7 qershorit, po garon zoti Hamza për ta zhbllokuar Kosovën dhe për të bërë zgjidhje dhe për t’i dhënë vendit institucione dhe për të bashkëpunuar me të gjithë aleatët…. PDK-ja synon për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme me Bedri Hamzën për katër vitet e ardhshme”, deklaron ai.

Ai kritikon ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe ish-partneren e saj, Vjosa Osmani, e cila është bartëse e listës së LDK-së. Sipas Beqës, Kurti e Osmani ditëve në vijim do t’ia qesin të “palarat” njëri-tjetrit për, siç thotë ai, “keqqeverisjen në pesë vitet e fundit”.

“Kurti e Osmani ditëve në vijim do t’ia qesin të palarat njëri-tjetrit”, thotë kandidati për deputet i PDK-së

Ne e pamë që për interesa të ngushta, u prishën me partneren e saj politike, me të cilën erdhën në pushtet dhe të dy e patën zgjedhur të njëjtën rrugë, rrugën e fyerjes, sharjes, përçarjes me ardhur në pushtet. Edhe u prishën, në fund filluan me i treguar njëri-tjetrit çfarë kanë bërë dhe tash po i shohim, janë…Ditëve në vijim, absolut kanë filluar me ia qitur palarat për gjithçka çka kanë bërë, për të mirë qytetarëve nuk u pa që kanë bërë diçka”, thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara para pesë muajsh i ka marrë 51.1 për qind të votave, mirëpo sipas Beqës tani një gjë e tillë është e pamundur.

Ai thotë se Kurti qëllimshëm nuk e ka zgjedhur presidentin për ta dërguar vendin edhe një herë në zgjedhje, andaj, siç shton ai, qytetarët do ta ndëshkojnë.

I pyetur se a rrezikon PDK-ja vendin e dytë nga LDK-ja me rikthimin e Vjosa Osmanit në këtë parti, ai thotë se një gjë e tillë është e pamundur, meqë sipas tij, LDK-ja ende nuk e ka tejkaluar plotësisht ndikimin politik që ka pasur largimi i Osmanit nga ajo parti në vitin 2021.

Beqa: PDK dhe LVV po garojnë për 30 për qind në zgjedhje

Partia Demokratike edhe Lëvizja Vetëvendosje garojnë për 30%. Nuk garon më asnjë parti në këto rrethana për 50%, jo që nuk do me i marrë 50%… asnjë mundësi nuk është tash një parti me menduar me i marrë 40%, sepse rrethanat kanë ndryshuar në terren. Kurse nuk e rrezikon Lidhja Demokratike, sepse zonja Osmani normal që ka krijuar njëfarë tërmeti në LDK kur ka dalë prej LDK-së, ende nuk është sanuar ai si duhet brenda, por puna e LDK-së, thjesht ka të kënaqur e të pakënaqur, po s’është temë tash të flas për LDK-në. Por jam i bindur që PDK-ja synimet i ka reale, punon për t’i realizuar, edhe mendoj edhe besoj që përfaqësuesit e Partisë Demokratike do të jenë çdo herë në krye të detyrës në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon Beqa.

Të Ngjashme