Lajme

PDK drejt 7 qershorit, a do t’i sjellë rezultat afrimi me Limajn? Analisti jep parashikimin

“Stop krizës, ndrysho Kosovën” është slogani me të cilin Partia Demokratike e Kosovës po kërkon mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

PDK, e cila në dy palë zgjedhjet e fundit është renditur si forca e dytë politike në vend, ka intensifikuar aktivitetet e saj elektorale në komuna të ndryshme të Kosovës, ndërsa tashmë po bëhet gati për tubimin përmbyllës të fushatës, i paralajmëruar për të shtunën në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kjo parti siguroi 196,474 vota apo 20.95 për qind të votave, duke fituar 24 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, PDK ruajti pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje me 20.98 për qind të votave, por fitoi një mandat më pak.

Rezultati i saj në zgjedhjet e ardhshme po ndiqet me interes të veçantë, sidomos pas krizës politike që çoi vendin në zgjedhje të reja. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ishte ndër liderët opozitarë që zhvilloi takime me kryeministrin Albin Kurti në përpjekje për të gjetur një zgjidhje rreth zgjedhjes së presidentit, por pa arritur marrëveshje. Dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit përfundimisht e çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Më pas, Kurti bëri publike edhe ofertat që, sipas tij, ua kishte paraqitur partive opozitare për të zhbllokuar situatën politike, përfshirë edhe një propozim drejtuar PDK-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

PDK tashmë në fushatë është duke u shoqëruar edhe me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili në të kaluarën ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të kësaj partie. Limaj kishte shprehur publikisht gatishmërinë për një bashkim politik ndërmjet Nismës dhe PDK-së para zgjedhjeve, por një ide e tillë nuk gjeti mbështetjen e strukturave të PDK-së. Megjithatë, dy subjektet arritën një marrëveshje bashkëpunimi dhe mbështetjeje politike, duke u paraqitur së bashku në një pjesë të aktiviteteve elektorale.

Analisti politik, Leon Duhanaj e konsideron mjaft dinamike fushatën e PDK-së.

Sipas tij, afrimi i Limajt me PDK-në ka bërë një hap shumë të madh drejt unifikimit.

“Fushata për zgjedhjet e 7 qershorit ka nisur mjaft dinamike. PDK-ja duket më e konsoliduar se kurrë. Kryetari Bedri Hamza, që nga marrja e rolit si kandidat për kryeministër, ka arritur t’i qetësojë disa segmente me potencial përçarës. Mjafton të përmendet rasti i Lladrovcit, ndërsa me afrimin e figurave të njohura si Limaj, besoj se PDK-ja ka bërë një hap shumë të madh drejt unifikimit. Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, për mendimin tim, Bedri Hamza ka bërë një punë tepër të madhe unifikuese dhe besoj fort se PDK-ja do të arrijë një numër rekord votash”, shprehet Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Ai uron ndryshim pas 7 qershorit, madje edhe qeveri nën drejtim të Hamzës.

“Uroj që 7 qershori të sjellë ndryshimin e nevojshëm për vendin dhe që të formohet Qeveria Hamza, e cila, sipas bindjes sime, do të ishte një mundësi e madhe për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për t’i dhënë drejtim të ri zhvillimit të Kosovës”, përfundon Duhanaj.

Kujtojmë, se gjatë fushatës, Bedri Hamza ka fokusuar mesazhet e tij te ekonomia, mirëqenia sociale dhe nevoja për ndryshim të qasjes qeverisëse, duke akuzuar qeverinë aktuale për dështime në menaxhimin e krizave dhe zhvillimin ekonomik. Në tubimet e mbajtura anembanë vendit, ai ka premtuar politika që, sipas tij, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe do të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë dhe bizneset.

Nga ana tjetër, kundërshtarët politikë kanë vënë në pikëpyetje mundësinë e rikthimit të PDK-së në pushtet, duke e konsideruar garën e 7 qershorit si një test të rëndësishëm për forcën reale elektorale të partisë pas dy rezultateve pothuajse identike në vitin 2025.

Mbetet të shihet nëse slogani “Stop krizës, ndrysho Kosovën” do të arrijë të përkthehet në rritje të mbështetjes elektorale për PDK-në, apo nëse partia do të ruajë nivelin e votave që ka siguruar në zgjedhjet e fundit. Rezultati i së dielës pritet të tregojë nëse PDK ka arritur të bindë një numër më të madh qytetarësh se mund të jetë alternativa e ardhshme qeverisëse e vendit.

Të Ngjashme