Aktuale

“Për ty fik radarët”/ Mesazhet Hyseni-Agasi që “pushtuan” rrjetin, ZËRI zbulon të vërtetën: Nuk janë në dosje! Ja si u përhapën

“Për ty fik radarët”, kjo ishte shprehja qe ndezi rrjetin e mediat në disa biseda të pretenduara mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit. Nga verifikimet e ZËRI rezulton se në dosjen e SPAK lidhur me hetimin e ish-drejtoreshës së SHISH nuk ka asnjë bisedë apo mesazh lidhur me komunikimet e publikuara sot.

Shkëndija e publikimeve nisi nga një deklaratë e gazetarit Vullnet Krasniqi. Ky i fundit, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, pretendoi se në komunikimet mes Hysenit dhe Agasit gjendeshin disa mesazhe intime, duke i paraqitur ato si pjesë të materialeve të hetimit.

“Ama, tani do flasim për romancën e zjarrtë të Vlorës me Ergysin…Çfarë flisnin ata të dy natën vonë? Kur Vlora dhe Gysi kanë komunikuar me njëri-tjetrin, bisedat janë fiks material për Hollyëood, Netflix apo HBO. Ja disa mesazhe: ‘Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?’ Dhe, Vlora, shefja e SHISH-it, ja ka kthy: ‘Flej pa merak zemër, se krejt radarët e shtetit i fik për ty. Atë numrin tjetër mos e përdor se po përgjohet…Vlora u bë ëngjëlli i mbrotjës i Gysit”, u shpreh gazetari në një video të tij në rrjete sociale.

Megjithatë, vlen të theksohet se gazetari nuk pretendon se këto komunikime i ka parë vetë në dosjen hetimore apo se po citon një dokument të SPAK. Ai e nis videon duke thënë: “Imagjinoni të lexoni në dosjen e SPAK që kryespiunja e shtetit duke i çuar mesazhe, e duke mbrojtur njeriun që shteti po e kërkonte”. Pra, deklaratën e tij, ai e paraqet si një interpretim të komunikimeve mes Hysenit dhe Agasit.

Pas publkimit dhe shpërndarjes së videos së gazetarit, këto deklarime nisën të raportoheshin si mesazhe që gjendeshin në dosjen hetimore të SPAK. Konkretisht, bëhej fjalë për komunikimet intime, të lartpërmendura, në të cilat, sipas pretendimit të publikuar, Vlora Hyseni i ofronte mbrojtje Ergys Agasit, duke e informuar dhe këshilluar se si të vepronte.

Megjithatë, verifikimi i ZËRI-t nuk gjen në dosjen e SPAK komunikimet e cituara nga gazetari.

Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, u paraqit paraditen e sotme në GJKKO, ku i është konfirmuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Ajo dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasit, teksa ndodhej në arrati, duke i përcjellë informacione të klasifikuara sekrete, mbi lëvizjet e strukturave shtetëroe në mënyrë që biznesmeni t’u shpëtonte autoriteteve.

Referuar dosjes hetimore të SPAK, të zbardhur një ditë më parë të cilën ZËRI e disponon, mes tyre rezultojnë mbi 500 komunikime të vazhdueshme gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe shkëmbim materialesh. Materiale sekrete janë gjetur edhe në makinën e biznesmenit gjatë kontrolleve të SPAK, më datë 22 korrik.

Hyseni ka pretenduar në SPAK, disa ditë para njoftimit të masës ndaj saj, se kishte komunikuar me Agasin, por në cilësinë e bashkëpunëtorit. Megjithatë, sipas SPAK, nga komunkimet e administruara, nuk rezulton kjo. Sipas SPAK, Agasi është personi që merr dhe dikton informacionin, ndërsa drejtuesja e SHISH nuk kishte vënë në dijeni instancat paralele apo edhe brenda institucionit./ZËRI

Të Ngjashme