Lajme

Përmbytje të mëdha në Zelandën e Re, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Autoritetet në kryeqytetin e Zelandës së Re kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi reshjet e rrëmbyeshme kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Ishullin e Veriut, duke sjellë evakuime, raportojnë mediat e huaja.

Sipas autoriteteve lokale, qyteti regjistroi rreth 77 mm shi në më pak se një orë, një nivel rekord që shkaktoi përmbytje të menjëhershme, rrëshqitje dheu dhe dëme në infrastrukturë.

Kryebashkiaku Andrew Little tha se situata është serioze, me ujë që ka lëvizur automjete dhe ka hequr kapakë pusetash.

Dhjetëra persona janë evakuuar, ndërsa një burrë 60-vjeçar në zonën e Karorit raportohet i zhdukur.

Deri tani nuk ka raportime zyrtare për viktima.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të jenë të përgatitur për evakuime të mundshme.

Reshjet pritet të vazhdojnë edhe për të paktën një ditë e gjysmë, ndërsa kushtet e motit parashikohen të përkeqësohen gjatë mbrëmjes.

Ministri për menaxhimin e emergjencave, Mark Mitchell, paralajmëroi se “më e keqja ende nuk ka ardhur” dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare.

Ndërkohë, disa fluturime në aeroportin e Wellingtonit janë anuluar dhe disa shkolla kanë mbyllur aktivitetin për shkak të kushteve të rrezikshme.

Banorët raportojnë situata dramatike në zona të ndryshme: në Kingston, një rrëshqitje dheu bllokoi rrugët, ndërsa në Mornington përmbytjet transformuan oborret në rrjedha të fuqishme uji.

Të Ngjashme