Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga rryma elektrike gjatë vërshimeve.
I mituri, i identifikuar me inicialet M. I., shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Sipas informacioneve nga zyra e guvernatorit të Stambollit, ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, raportojnë mediat turke.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Autoritetet kanë regjistruar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu, si dhe dhjetëra raste kur njerëzit kanë mbetur të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.
Mbi 2.500 raportime për shkak të motit të keq
Reshjet e fuqishme kanë shkaktuar kaos në pjesë të ndryshme të qytetit. Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.
Sipas të dhënave të publikuara, moti i keq ka prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete.
Mediat turke kanë raportuar për shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime të përmbytura, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë.
Reshjet më të dendura në pjesën aziatike të Stambollit
Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në zonën Ömerli, në distriktin Beykoz, në pjesën aziatike të qytetit.
Për shkak të përmasave të situatës, pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) është krijuar një qendër koordinimi për menaxhimin e krizës.
Në terren janë angazhuar rreth 8.000 pjesëtarë të shërbimeve të ndryshme, të mbështetur nga 2.000 automjete dhe makineri ndërtimi. Në operacionet e ndërhyrjes po marrin pjesë ekipet e AFAD-it, Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe shërbimeve komunale.
Pezullohet mësimi, ndalohet qarkullimi i motoçikletave
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, autoritetet kanë vendosur të pezullojnë mësimin në shkollat e Stambollit gjatë ditës së enjte. Gjithashtu, është ndaluar qarkullimi i motoçikletave për shkak të rrezikut në rrugë.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, u ka bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në pjesën aziatike të qytetit, duke u rekomanduar të qëndrojnë në shtëpi, përveç rasteve kur udhëtimi është i domosdoshëm.
Ndërkohë, punonjësit me aftësi të kufizuara në sektorin publik dhe nënat me fëmijë të vegjël janë liruar nga detyrimet e punës. Përjashtim bëjnë punonjësit e shërbimeve sociale që punojnë në institucionet ku strehohen fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara, me qëllim që të garantohet vazhdimësia e kujdesit dhe mbështetjes për ta.
Autoritetet u kanë rekomanduar gjithashtu banorëve që jetojnë në apartamente në katet përdhese ose në bodrume që ta kalojnë natën në vende më të sigurta.
Trafik i rënduar, por pa anulime fluturimesh
Moti i keq ka shkaktuar edhe trafik të rënduar, veçanërisht gjatë orëve të pikut në mbrëmje, kur qytetarët po ktheheshin nga puna.
Transporti publik është përballur me mbingarkesë të madhe, pasi shumë qytetarë kanë hequr dorë nga përdorimi i automjeteve private.
Megjithatë, zyra e guvernatorit ka njoftuar se asnjë rrugë nuk është mbyllur plotësisht për shkak të reshjeve. Edhe pistat e aeroporteve kanë vazhduar të funksionojnë normalisht, pa u raportuar anulime fluturimesh.
