Lajme

Përparim Rama intervistohet si i pandehur për tenderin 12-milionësh “Arkitekti i Kryeqytetit”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar të premten nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, tenderin me vlerë të parashikuar prej 12 milionë eurosh.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se Rama dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe se intervistimi i tij është bërë në kuadër të rastit penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.

“Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Rama u paraqit në Prokurorinë Speciale rreth orës 13:30, i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Qerkini. Intervistimi zgjati mbi dy orë. Para hyrjes, ai nuk pranoi të tregonte nëse ishte ftuar si i dyshuar apo si dëshmitar, ndërsa avokati Qerkini tha se statusi do të bëhej i ditur pas intervistimit.

“Detyra jem është me ndërtu Kryeqytetin, detyra e tyre është me e pa se krejt bëhet në mënyrë ligjore”, deklaroi shkurt Rama para mediave.

Pas daljes nga Prokuroria, kryetari i Prishtinës tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, tha Rama, duke shtuar se “jemi totalisht transparentë”.

Tenderi i vitit 2022

Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Ramës, kishte hapur më 22 korrik 2022 tenderin për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 12 milionë euro, me kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Rama e kishte arsyetuar projektin me mungesën e kapaciteteve në administratën komunale për realizimin e një numri të madh projektesh. Sipas tij, në kuadër të shërbimit do të angazhoheshin mbi 60 persona, konsulentë nga fusha e arkitekturës, infrastrukturës dhe planifikimit urban.

Dyshimet për shkelje të ligjit dhe konflikt interesi

Ndaj tenderit janë ngritur më herët pretendime për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik që në fillim të procesit. Sipas raportimeve të vitit 2024, konsorciumi fitues, i përbërë nga kompanitë “Anarch” dhe “Ardi Ç”, kishte paraqitur një sigurim tenderi prej 12 mijë eurosh, shumë kjo dhjetë herë më e ulët se minimumi i kërkuar me ligj.

Është raportuar gjithashtu se pronar i njërës prej kompanive fituese ishte arkitekti Astrit Nixha, i cili në të kaluarën kishte pasur raporte pune me një biznes të kryetarit Rama.

Organizata Demokraci Plus kishte ngritur dyshime për konflikt interesi, pasi, sipas saj, një anëtar i komisionit vlerësues figuronte si bashkëpunëtor i kompanisë fituese Anarch Sh.P.K.

Kritikat e opozitës në Kuvendin Komunal

Projekti ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ata kanë vënë në dyshim arsyeshmërinë e një kontrate të tillë, veçanërisht duke pasur parasysh se vetë Rama është arkitekt me profesion.

Paraqitja e Ramës në Prokurori erdhi disa ditë pasi deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, kishte shkruar në Facebook “Përparim Rama… tik tak, tik tak…”. Postimi u interpretua si paralajmërim për veprime të mundshme ndaj kryetarit të Prishtinës.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria Speciale nuk ka bërë të ditur nëse do të ndërmerren masa të tjera procedurale ndaj kryetarit të Prishtinës.

Intervistimi në cilësinë e të pandehurit nuk nënkupton fajësi. Çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Të Ngjashme