Lajme

‘Përplasja’ mes Vuçiqit dhe Gozit – njohësit komentojnë situatën: Serbia rrezikon të izolohet në…!

Deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë ndezur sërish debatet politike në rajon, duke thelluar përplasjet verbale me përfaqësues të institucioneve evropiane.

Gjatë një tubimi publik, ai ka ofenduar eurodeputetin Sandro Gozi, duke e cilësuar si lobist dhe duke vënë në pikëpyetje identitetin e tij kombëtar, një qasje që është konsideruar si e ashpër dhe përçarëse në diskursin politik.

Në të njëjtën linjë, Vuçiq ka kritikuar edhe qëndrimet e Gozi-t dhe të tjerëve që mbështesin pavarësinë e Kosovës, duke i akuzuar për qëndrime kundër Serbisë dhe për përdorim të retorikës së rëndë ndaj saj në arenën ndërkombëtare.

Këto deklarata kanë reflektuar tensionet e vazhdueshme mes Beogradit dhe disa figurave evropiane lidhur me çështjen e Kosovës.

Nga ana tjetër, Sandro Gozi ka reaguar duke e sfiduar Vuçiqin për një debat publik, duke propozuar që përballja të zhvillohet në Bruksel ose Beograd, por që ky i fundit e ka refuzuar.

Me këtë sjellje, a po ekspozohet gjithnjë e më shumë Aleksandar Vuçiq para partnerëve ndërkombëtarë?

Maraj: Mosrespektimi i marrëveshjeve po e rrit rrezikun për rajonin

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur opinonisti Milazim Maraj.

Opinionisti thotë se përplasjet e Vuçiqit me zyrtarë ndërkombëtarë, si Sandro Gozi, tregojnë një ashpërsim të diskursit të tij politik që po kalon edhe në arenën evropiane. 

Ai sugjeron se këto reagime mund të lidhen edhe me tensione personale dhe polemika rreth origjinës së tij, të cilat ndikojnë në sjelljen e tij politike.

Image
Milazim Maraj

“Shqetësimet e Vuçiqit kanë kaluar tani më kufijtë e Gadishullit Ilirik. Ai tani përplaset edhe me ndërkombëtarët. Gjatë një takimi Vuçiq u përplas dhe ofendoj euro deputetin italian Sandro Gozin duke e quajtur kështu lobist për pavarësinë e Kosovës, njeri që Serbinë e qan shtet gjenocidal. Por jo vetëm kaq. Ai e konstaton që ky nuk po ditka as cilës kombësi i takon. Ku dhëmb dhëmbi shkon gjuha thotë fjala e urtë shqipe. Vuçiqi ka problem me origjinën e tij të diskutueshme. Gazetat kroate, të Kosovës etj, kanë pasur shpesh herë temë origjinën e tij. Ky slogan për origjinën e tij i thirrej edhe gjatë protestave në Beograd dhe qytete tjera serbe. 

Ato nxorën edhe fotografitë e babës zyrtarë, të Vuçiqit dhe foton e kolegut të nënës së Vuçiqit më të cilin Vuçiq përngjanë si të ishte fotokopje. Ky shumë herë e mohoj këtë por nuk arriti të bind kënd për këtë, madje nuk pati guxim të bëjë as një analizë ADN. Duke që këtë gjendje të publikuar e ka përjetuar shumë rëndë. Andaj tani e përfoli edhe një herë si hakmarrje ndaj deklaratës shumë të arsyeshme të euro-deputetit z. Sandro Gozi”, u shpreh ai.

Duke vazhduar opinonisti vlerëson se Sandro Gozi ka treguar qëndrime të forta ndaj Vuçiqit, duke e sfiduar për mospërmbushjen e marrëveshjeve dhe duke e ftuar në debat publik, ku sipas tij presidenti serb po shmang përballjen.

Ai e paraqet reagimin e Vuçiqit si shenjë dobësie dhe izolimi politik, duke argumentuar se Serbia po përballet me rënie të besueshmërisë ndërkombëtare dhe me ekspozim të së kaluarës së saj të dhunshme, ndërsa retorika e tij po bëhet gjithnjë e më mbrojtëse dhe agresive.

Përplasjet e Vuçiqit i ka vlerësuar shumë mirë edhe z. Sandro Gozi. Ai thotë se Vuçiq është zënë ngushtë dhe tani reagon më këtë ton dhe me këto fjalë. Konstatimi që Serbinë e paska quajt shtet gjenocidi është plotësisht e argumentueshme. Gjenocidi serbe mbi popullatëne pa armatosur jo serbe kryesisht shqiptare, është vepër e përsëritur që nga viti 1878 e deri në vitin 1999. 

Euro deputeti Sandro Gozi i përkujton Vuçiqit marrëveshjet që ky vet i ka pranuar. Por nuk po ia përkujton mos zbatimin e marrëveshjes për të cilën ka nënshkruar. Euro deputeti Sandro Gozi kishte ftuar Presidentin kriminel për debat, në Bruksel apo në Beograd, por ky tani fshihet dhe jo vetëm që nuk guxon të del në këtë debat në Bruksel por as në Beograd. Debatin është në dyluftim verbal. Armët në këtë dyluftim janë argumentet, të cilat presidenti me origjinë të diskutueshme serbe apo shqiptare ose hibrid, nuk i kishte. Pa armë nuk hyhet në luftë. 

Mbrojtjen e tij në opinion e ka marrë përsipër me faqe të zezë makineria e tij gazetareske po ashtu pa arme. Çka është ky reagim i frikshëm i Vuçiqit? Duket se tregu për shitjen e gënjeshtrave serbe është rrudhur shumë. Deshifrimi i gënjeshtrave serbe gjatë historisë tani është ndriçuar në masë të madhe. Rrezikimi i dëmtimit deri në ndërprerje të marrëdhënieve të Serbisë së udhëhequr nga ky safari kriminel më shtetet e BE dhe më gjere është në rritje. Dalja në skenën gjeopolitike të interesave serbe për “Botën ruse” është mjaftë i lexueshëm”, shpjegon opinonisti.

Ndër të tjera, opinonisti shton se Serbia paraqitet si një shtet problematik që, sipas autorit, nuk respekton marrëveshjet me BE-në dhe vazhdon me veprime agresive ndaj fqinjëve, duke u konsideruar burim tensionesh në rajon dhe më gjerë në Evropë. 

Ai pretendon se këto veprime, përfshirë edhe akuzat për destabilizim dhe krim të organizuar, po e dëmtojnë rëndë imazhin e Serbisë ndërkombëtarisht, ndërsa liderët e saj po përpiqen të zhvendosin fajin te të tjerët në vend që të përballen me përgjegjësinë.

“Mos respektimi i marrëveshjeve me BE për Kosovën dhe ngacmimet e pa ndërprera agresive më shtetet fqinjë janë tregues i çartë për rrezikun që i vjen BE nga ky shtet problematik i krijuar në Perandoria turke në marrëveshje turko-ruse dhe që ndezë konflikte sa herë në rajon; sa herë iu duhet këtyre dy shteteve. 

Sulmet e armatosura, diversionet, dhe futja e pa ndërprerë e armatimit ilegal në fshatrat e banuara më shumicë serbe në Kosovës janë të pa ndërprera; pothuaj ditore. BE ka mjaftë argumente për burimin e fatkeqësive të Gadishullit Ilirik dhe Evropës në përgjithësi. 

Andaj reagimet e Euro-deputetëve ndaj kësaj krijesë kancerogjenë tani sa kanë filluar. Skenarët serbe për Kosovën nuk po gjejnë treg, madje as në Serbi. Organizimi i krimit dhe mbrojtja e krimineleve është publike, kërcënimet për agresion në shtetet fqinjë dhe pretendimet për dalje më çdo kusht në dete janë mjaftë të çarta. Këtë gjendje analistet serb e kanë të çartë. Rreziku për humbjen e pushtetit po e tmerron krimineli Safari. Andaj fajin pretendon ta kërkojë jashtë diku në Evropë”, foli opinonisti Maraj për “Bota sot”.

Gashi: Serbia vazhdon të përdorë narrativë viktimizuese dhe konfrontuese

Ndërsa, analisti politik Eduard Gashi në një bashkëbisedim “Bota sot”, thotë se përplasja mes Vuçiqit dhe Sandro Gozit tregon një model më të gjerë politik në të cilin debati zëvendësohet me sulme personale dhe shmangie të argumenteve. 

Image
Eduard Gashi

Ai sugjeron se refuzimi i debatit publik dhe etiketimi i kundërshtarëve e dëmton besueshmërinë e Serbisë në sytë e BE-së, duke e paraqitur si mungesë transparence dhe vetëbesimi politik.

“Përplasja mes Aleksandar Vuçiq dhe Sandro Gozi nuk është thjesht një incident retorik – është simptomë e një modeli më të thellë politik në Ballkan.

Nga një këndvështrim analitik, kjo sjellje e Vuçiçit ndjek një strategji të njohur: delegjitimimi personal në vend të përballjes argumentuese. Etiketimi i Gozit si “lobist” dhe relativizimi i identitetit të tij nuk është debat politik – është shmangie e debatit. Në standardet e diskursit europian, kjo tingëllon më shumë si propagandë e brendshme sesa si diplomaci serioze.

Refuzimi i debatit publik – sidomos pasi fillimisht është pranuar – përforcon perceptimin se Beogradi zyrtar nuk është i gatshëm të përballet në mënyrë transparente me kritikat ndërkombëtare, veçanërisht mbi Kosovën. Në qarqet e Brukselit, kjo lexohet si mungesë vetëbesimi politik, jo si force”, thotë ai.

Gjithashtu, analisti thotë se Serbia vazhdon të përdorë një narrativë viktimizuese dhe konfrontuese, duke shmangur çështjet thelbësore si njohja e Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve. 

Në fund, analisti nënvizon se në plan ndërkombëtar, kjo sjellje shihet si një kontradiktë mes retorikës nacionaliste të brendshme dhe imazhit pro-evropian të jashtëm, gjë që po dëmton besueshmërinë e Vuçiqit dhe rrit rrezikun e izolimit politik të Serbisë në Evropë.

“Nga perspektiva e Kosovës, kjo është edhe më domethënëse: Serbia vazhdon të përdorë narrativë viktimizuese dhe konfrontuese, ndërkohë që shmang diskutimin substancial mbi çështje thelbësore si njohja, përgjegjësia historike dhe normalizimi real.

Në plan më të gjerë ndërkombëtar, sjellje të tilla dëmtojnë imazhin e Vuçiçit. Partnerët europianë – sidomos në media serioze si Financial Times apo Handelsblatt – i lexojnë këto episode si tregues të një lideri që lëviz mes retorikës nacionaliste për konsum të brendshëm dhe një fasade pro-europiane për jashtë. Kjo dyfytyrësi po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Përfundimi është i qartë: kjo përplasje nuk e dobëson Gozin – përkundrazi, ekspozon kufijtë e modelit politik të Vuçiçit. Dhe sa më shumë që shmang debatet reale, aq më shumë Serbia rrezikon të izolohet në perceptimin politik europian”, përfundoi njohësi për çështje politike, Eduard Gashi për “Bota sot”.

Të Ngjashme