Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga drogat, i mbajtur në komunitetin San Patrignano në Itali, në kuadër të nismës së Koalicionit Evropian Kundër Drogave.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se takimi u zhvillua nën udhëheqjen e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë evropianë.
Ai theksoi se në këtë takim, në emër të Republikës së Kosovës, riafirmoi përkushtimin për një qasje që ndërthur sigurinë publike me mbrojtjen e shëndetit publik.
Sipas Sveçlës, përmes Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, Kosova po synon të forcojë masat parandaluese, trajtimin dhe rehabilitimin, me fokus të veçantë te mbrojtja e të rinjve dhe fuqizimi i komuniteteve.
Postim i plotë:
Sot, në komunitetin San Patrignano në Itali, mora pjesë në takimin e nivelit të lartë për parandalimin dhe trajtimin e varësisë ndaj drogave, në kuadër të nismës së Koalicionit Evropian Kundër Drogave. Ky takim, nën udhëheqjen e Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë evropianë, dëshmon përkushtimin tonë të përbashkët në përballjen me këtë sfidë.
Në fjalën time në emër të Republikës së Kosovës, riafirmova përkushtimin tonë për një qasje që ndërthur sigurinë publike me mbrojtjen e shëndetit publik. Përmes Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, po forcojmë masat parandaluese, trajtimin dhe rehabilitimin, me vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes së të rinjve dhe fuqizimit të komuniteteve.
Në këtë frymë të përgjegjësisë së përbashkët, miratuam Deklaratën e Përbashkët, përmes së cilës riafirmojmë zotimin tonë politik dhe institucional për të vepruar së bashku, duke vendosur parandalimin, mbrojtjen dhe mirëqenien e të rinjve në qendër të angazhimit tonë.
Lufta kundër drogave kërkon angazhim të vendosur kundër rrjeteve kriminale, por edhe mbështetje për personat që përballen me varësinë. Rezultatet e Policisë së Kosovës, me 750 raste të iniciuara dhe 961 të dyshuar të arrestuar gjatë vitit 2025, dëshmojnë angazhimin tonë në luftimin e këtij fenomeni.
Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë, përmes shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar. Qëllimi ynë është i përbashkët: mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, dhe ndërtimi i një shoqërie më të sigurt, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për brezat që vijnë.
