Shoqëria MABCO Constructions S.A. ka reaguar ndaj ultimatumit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen brenda 30 ditësh të konfliktit mes ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces dialogu apo ndërmjetësimi, por duke theksuar se çdo diskutim duhet të nisë nga zbatimi i vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë.
Në një deklaratë publike, MABCO shprehet se mirëpret çdo iniciativë institucionale që synon rikthimin e normalitetit në funksionimin e shoqërisë koncesionare dhe përfundimin e projektit të aeroportit, të cilin e konsideron me rëndësi strategjike për vendin.
Kompania thekson se vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë pak ditë më parë, ka rrëzuar masat e sigurimit që kufizonin ushtrimin e të drejtave të saj si ortak mazhoritar në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), duke rikthyer situatën juridike sipas strukturës aktuale të pronësisë. Sipas MABCO-s, kompania vijon të mbetet zotëruese e 98 për qind të kuotave të VIA-s dhe ky status duhet të jetë baza mbi të cilën do të ndërtohet çdo proces i mëtejshëm institucional apo negociues.
“MABCO shpreh gatishmërinë e plotë për të marrë pjesë në çdo proces dialogu, koordinimi apo ndërmjetësimi të iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, kompania rendit disa kushte që i konsideron thelbësore për suksesin e këtij procesi. Mes tyre janë respektimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë, garantimi i aksesit të pakufizuar të përfaqësuesve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të saj në kantier, si dhe mundësimi i aksesit në informacionin teknik, administrativ dhe financiar të projektit.
MABCO njofton gjithashtu se ka nisur hapat për rikthimin e normalitetit korporativ në VIA, duke thirrur organet vendimmarrëse të shoqërisë sipas statutit dhe legjislacionit shqiptar.
