Aktuale

Përse Lefter Koka nuk mund të rikthehet në burg? Ja çfarë thotë avokati

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, ende nuk është ekzekutuar, pasi ai ndodhet jashtë vendit prej rreth katër muajsh e gjysmë.

Lidhur me mungesën e tij, avokati mbrojtës, Maksim Sota, ka sqaruar se ish-ministri ka pasur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur ndodhej në burg dhe, pas lirimit në muajin dhjetor, është larguar jashtë Shqipërisë për të marrë trajtim mjekësor dhe kujdes më të specializuar.

Sipas avokatit, Lefter Koka është vënë në dijeni për vendimin e Apelit dhe do të rikthehet në vend menjëherë pas përfundimit të trajtimit mjekësor.

Ish-ministri u dënua më 16 prill 2025 nga Gjykata e Shkallës së Parë me dy vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në kuadër të procedurave që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Në atë kohë, gjykata vendosi edhe shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e tij për këtë çështje, me argumentin se periudha e dënimit ishte konsideruar e kryer përmes kohës së kaluar në paraburgim. Megjithatë, ekzistenca e dy vendimeve të tjera gjyqësore që lidhen me kontratat koncesionare të inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit pengoi lirimin e menjëhershëm të tij.

Në muajin dhjetor, Lefter Koka u lirua nga Gjykata e Durrësit, pasi u vlerësua se kishte shlyer dënimet që i ishin dhënë.

Gjatë shqyrtimit të çështjes në Apelin e Posaçëm, prokuroria kërkoi përsëritje të pjesshme të gjykimit për ish-ministrin, duke kërkuar rillogaritjen e dënimit të mbetur për t’u vuajtur. Gjykata e Posaçme e Apelit e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi të prishë pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë, konkretisht pjesën që kishte të bënte me shuarjen e masës së sigurisë.

Si pasojë e këtij vendimi, Lefter Koka duhet të rikthehet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, por ekzekutimi i këtij urdhri mbetet i pezulluar deri në kthimin e tij në Shqipëri.

Të Ngjashme