Lajme

Përurohen investimet në efiçiencë të energjisë në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Hasan Prishtina” në komunën e Shtimes

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi shkollën “Naim Frashëri” në Shtime dhe atë “Hasan Prishtina” në fshatin Godanc të kësaj komune, për të përuruar investimet për efiçiencë të energjisë.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti tha se këto investime janë tejet të rëndësishme, duke përmendur se në kuadër të investimeve në efiçiencë të energjisë janë renovuar mbi 120 ndërtesa publike në të gjithë vendin, kryesisht shkolla dhe objekte shëndetësore.

“Efiçienca e energjisë njëmend tingëllon si një term teknik. Por në shkollë, ajo kuptohet shumë thjesht: klasa më të ngrohta në dimër, ndriçim më i mirë, ajër më i pastër, më pak humbje, më shumë përqendrim dhe më shumë dinjitet për nxënësit dhe mësimdhënësit. Kjo është politika publike kur shihet nga afër në klasë, në bibliotekë, në laborator të shkollës ku nxënësi mëson në kushte shumë më të përshtatshme”, tha kryeministri në detyrë Kurti. 

Fjala e kryeministrit në detyrë Kurti në shkollën “Naim Frashëri”:

Jemi këtu bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me Kryetarin e Komunës së Shtimes, dr.Qemajl Aliun, po ashtu me Drejtoreshën e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxhën, me Drejtorin e Shkollës profesionale, Labinot Rexhën dhe me nxënësit dhe mësimdhënësit, për të shënuar një ndryshim të drejtpërdrejtë në kushtet e punës.

Kjo është edhe më e rëndësishme kur bëhet fjalë për një shkollë profesionale, në të cilën mësim nxënia kthehet në shprehi pune, në aftësi praktike, në profesion zhvillimi dhe në shërbim për shoqërinë.

Sot këtu na pritën edhe nxënësit e Shkollës së Mjekësisë, që e bën edhe më të qartë pse investimi në arsim është edhe investim në njerëzit, që nesër do të kujdesen për qytetarët tanë.

Nëse duam mjekë, infermierë, teknikë profesionistë e qytetarë të përgjegjshëm, atëherë shkolla duhet të jetë vend i ngrohtë, i ndriçuar, funksional dhe dinjitoz.

Në këtë shkollë masat për efiçiencën e energjisë janë gjithsej mbi 330 mijë euro dhe nga ky investim përfitojnë afër 500 nxënës dhe punonjës të shkollës.

Objekti i ka tri etazhe, me gjithsej 6,350 metra katrorë. Pra, bëhet fjalë për një objekt të madh, me përdorim të përditshëm dhe me ndikim të menjëhershëm në jetën shkollore të qindra familjeve të Komunës së Shtimes.

Para masave të zbatuara, konsumi vjetor i energjisë në këtë objekt ishte përafërsisht 1.25 GWh, ndërkaq pas zbatimit të masave, vlerësohet që konsumi do të bjerë në rreth 604 kWh në vit, që do të thotë diku përgjysmim dhe këto janë mjete të konsiderueshme financiare, të cilat nuk do të shkojnë më në humbje të energjisë, por mbeten në shërbim të shkollës dhe të komunës.

Efiçienca e energjisë njëmend tingëllon si një term teknik. Por në shkollë, ajo kuptohet shumë thjesht: klasa më të ngrohta në dimër, ndriçim më i mirë, ajër më i pastër, më pak humbje, më shumë përqendrim dhe më shumë dinjitet për nxënësit dhe mësimdhënësit. Kjo është politika publike kur shihet nga afër në klasë, në bibliotekë, në laborator të shkollës ku nxënësi mëson në kushte shumë më të përshtatshme.

Projekti është pjesë e një reforme më të gjerë. Gjatë këtij mandati qeverisës që kemi punuar në efiçiencë të energjisë janë renovuar mbi 120 ndërtesa publike në të gjithë vendin, kryesisht shkolla dhe objekte shëndetësore.

Në Shtime, investimet nuk ndalen vetëm këtu. Në kuadër të masave të efiçiencës kemi renovuar edhe shkollat “Hasan Prishtina” dhe “Emin Duraku”; ndërkaq kemi përkrahur edhe 44 familje në Shtime për izolimin e shtëpive të tyre. Synimi ka qenë që ta ulim konsumin e energjisë, t’i ulim kostot, të rrisim cilësinë e shërbimeve publike dhe të krijojmë kushte më të mira për qytetarët pa dallim. Për ne, kursimi i energjisë është jo vetëm çështje financiare, por edhe ekonomike, sociale e mjedisore.

E në këtë ditë nuk kemi se si të mos e kujtojmë me respekt edhe të ndjerën Yllka Fejzullahu, drejtore e Arsimit në Komunën e Shtimes, e cila me përkushtim ka kontribuar për zhvillimin e arsimit dhe avancimin në shkollat e kësaj komune.

Përfundimi i këtyre punimeve është pjesë edhe i angazhimit të saj institucional, të cilën vdekja na e mori para kohe. Andaj, sot e nderojmë me mirënjohje edhe Yllka Fejzullahun për punën dhe gjurmët që ajo ka lënë në Komunën e Shtimes, veçanërisht në fushën e arsimit.

Në fund, dëshiroj që të falënderoj edhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ministren Rizvanolli, Ministrinë e Ekonomisë në përgjithësi dhe Komunën e Shtimes me kryetarin Qemajl Aliun, pastaj drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit dhe të gjithë ata të cilët kanë punuar e kontribuar për realizimin e këtij projekti.

Nxënësve ju uroj mësim të mbarë e të mirë. Mësimdhënësve punë sa më të lehtë e më të suksesshme. Ndërkaq, shkollës profesional ju uroj që këto kushte të reja të kthehen në rezultate e suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

Urime, gëzuar e ju faleminderit të gjithëve.

Fjala e kryeministrit në detyrë Kurti në shkollën “Hasan Prishtina”:

Ne jemi shumë të gëzuar që ndodhemi këtu në mesin tuaj me rastin e këtij përurimi, të masave të efiçiencës së energjisë elektrike.

Përveç ministres Artane Rizvanolli, ministres së Ekonomisë, dhe kryetarit të komunës, z. Qemajl Aliut, është edhe znj. Njomza Hoxha, e cila është udhëheqëse e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Këtu është vlerësuar që do të kalohet nga një konsum prej përafërsisht 515 mijë kilovatë orë në vit, në vetëm 30 për qind të kësaj, diku 152-153 mijë kilovatë orë në vit energji elektrike, edhe këto mjete të cilat do të kursehen do të mund të përdoren mandej për aspekte të tjera të arsimit.

Do të jetë ngrohtë dimrit e freskët edhe kur bëhen temperaturat më të larta. Gjithashtu ndriçimi më i përshtatshëm edhe ajri më i pastër, janë shumë të rëndësishme për koncentrimin, përqendrimin e nxënësve, por njëkohësisht edhe për dëshirën që sa më shumë që të vijnë në shkollë e sa më shumë të mësojnë bashkë.

Gëzuar edhe një herë!

Image

Image

Image

Të Ngjashme