Pesë komisione parlamentare do të zhvillojnë sot mbledhje dhe takime në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku në rend dite janë një sërë çështjesh me rëndësi për sektorë të ndryshëm, përfshirë shëndetësinë, arsimin, ekonominë, sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Aktivitetet parlamentare do të nisin në orën 10:00, me mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi. Në këtë takim do të shqyrtohet raporti i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), me theks te listat e pritjes në institucionet shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor.
Po ashtu, në fokus do të jetë furnizimi me barna nga lista esenciale gjatë vitit 2026, si dhe pajisjet medicinale. Anëtarët e komisionit do të shqyrtojnë edhe formimin e një grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, transmeton “Bota sot”.
Një orë më vonë, në orën 11:00, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë takim me ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.
Ndërkaq, në orën 12:00, Komisioni për Arsim dhe Shkencë do të diskutojë për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe çështjet që lidhen me arsimin e lartë privat në Kosovë. Në këtë takim janë ftuar edhe përfaqësuesit e institucioneve private të arsimit të lartë.
Në orën 13:00, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të takohet me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Ndërsa aktivitetet e komisioneve parlamentare do të përmbyllen në orën 15:30, me mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Ky komision do të shqyrtojë Raportin Vjetor të Punës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2025, në prani të përfaqësuesve të Bordit të këtij institucioni.
Në rend dite do të jetë edhe njoftimi për përmbylljen e tri konkurseve për tri pozita në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).
Po ashtu, anëtarët e komisionit do të diskutojnë për organizimin e një tryeze lidhur me përafrimin e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit me direktivat e Bashkimit Evropian.
Mbledhjet e sotme pritet të trajtojnë çështje me interes publik, nga funksionimi i sistemit shëndetësor dhe cilësia e arsimit të lartë, deri te siguria, zhvillimi ekonomik dhe përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane.
