Lajme

​Pesë të arrestuar pas përleshjes në Ferizaj, njëri dyshohet se përdori kaçavidë

Pesë persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, ku mbetën të lënduar tre persona, njëri prej të cilëve është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 11 gusht 2026, rreth orës 00:15, në rrugën “12 Qershori”, në afërsi të dy lokaleve.

Njësitet reaguese dhe ato të hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë ndërmarrë veprimet policore dhe hetimore.

Sipas njoftimit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, pas trajtimit në Qendrën Emergjente në Ferizaj, për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK.

Në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar tre të dyshuar, ndërsa gjatë vazhdimit të hetimeve policia ka prangosur edhe dy persona të tjerë.

Gjatë intervistimit, njëri prej të dyshuarve ka pranuar se në përleshje kishte përdorur një kaçavidë, me të cilën dyshohet se ka goditur njërin prej të lënduarve.

Policia ka sekuestruar kaçavidën si provë materiale, ndërsa ka siguruar edhe një incizim të ngjarjes, i cili pritet t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore.

Të arrestuarit janë D.A., 21 vjeç, E.A., 22 vjeç, A.N., 39 vjeç, O.A., 18 vjeç dhe A.A., 22 vjeç.

Ndërkaq, i lënduari SH.A., 33 vjeç, është duke marrë trajtim në QKUK dhe pritet të intervistohet nga hetuesit pas stabilizimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në rast.

Të Ngjashme