Lajme

Piloti konsumoi marihuanë para fluturimit, aeroplani për pak sa nuk u rrëzua

Një pilot i kompanisë Air India, i cili drejtonte një fluturim nga Phuket në Delhi që pësoi një humbje të papritur të lartësisë, rezulton se po merrte edhe ilaçe për problemet me gjumin, sipas një raporti të brendshëm të sigurisë së kompanisë.

Piloti kishte rezultuar pozitiv për marihuanë në dy teste të mëparshme të drogës. Në deklaratën e tij për sigurinë e fluturimit, ai tha se kishte pasur probleme me gjumin për shkak të rrethanave personale dhe se mjeku i familjes i kishte përshkruar ilaçe për këtë problem.

Ngjarja ndodhi më 4 gusht, kur aeroplani Airbus A320neo, me 137 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi, po fluturonte nga Phuket drejt Delhit.

Aeroplani papritur humbi rreth 300 këmbë lartësi, duke shkaktuar lëndime te të paktën 20 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Aeroplani më pas u ul i sigurt në Delhi.

Sipas raportit, piloti nuk ndodhej në vendin e tij në momentin kur aeroplani humbi lartësinë dhe bashkëpiloti ishte në komandë. Pas incidentit, piloti shkoi në kabinën e pasagjerëve për të parë të lënduarit.

Burime të cituara nga NDTV thanë gjithashtu se, pas uljes në Delhi, piloti ishte i paqëndrueshëm në këmbë dhe iu desh ndihmë për t’u ulur. Ai u ndihmua edhe nga një hetues teksa dorëzonte mostrën e urinës për testim.

Piloti deklaroi se gjatë qëndrimit në Phuket kishte pasur vështirësi për të fjetur dhe se orari i fluturimeve kishte kufizuar kohën e tij për pushim. Të dy pilotët janë larguar përkohësisht nga detyra, në pritje të përfundimit të hetimit.

Të Ngjashme