Autoritetet turke kanë arrestuar Özgür Gökçe, vëllain e shefit të njohur të kuzhinës Nusret Gökçe, në kuadër të një hetimi të gjerë për prostitucion dhe krim të organizuar.
Sipas mediave të huaja dyshohet se vëllai i Nusretit së bashku me anëtarët e tjerë të grupit, ka ndërmjetësuar dhe organizuar prostitucionin, përfshirë edhe raste që lidhen me të mitur. Sipas autoriteteve, aktiviteti i paligjshëm realizohej përmes marrjes me qira të banesave dhe dhomave hoteli, si dhe komunikimeve në aplikacione mobile.Gjatë hetimeve janë zbuluar gjithashtu dyshime për pastrim parash. Dyshohet se të përfshirët kanë përdorur llogari bankare të personave të ndryshëm për të qarkulluar të ardhurat e siguruara nga aktivitetet ilegale, kundrejt komisioneve. Autoritetet raportojnë se rreth 15 milionë lira turke kanë qarkulluar brenda një viti, të lidhura me këtë rrjet.
Operacioni policor u zhvillua më 17 prill në disa qytete të Turqisë, përfshirë Stambollin, Ankaranë, Samsunin dhe Diyarbakirin, ku u ushtruan kontrolle në 14 adresa. Në total u arrestuan 13 persona; 7 prej tyre u lanë në paraburgim, ndërsa 6 të tjerë u liruan me masa sigurie.
Mes të ndaluarve ndodhet edhe Özgür Gökçe, i cili vijon të mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet për këtë çështje vazhdojnë.
