Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Sylaj u lokalizua dhe u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 23:40, në Deçan. Arrestimi erdhi pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe pas bashkëpunimit me qytetarët.
Policia i ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin në lokalizimin e të dyshuarit. Ajo bën të ditur se veprimet e mëtejme procedurale do të ndërmerren në koordinim me organet kompetente të drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan, ishte në arrati që nga 25 tetori. Policia e kishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve të ndihmonin në lokalizimin e tij.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në Vitomiricë, Policia sekuestroi një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje arme, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pak kohë pasi ishte kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunë në familje.
Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
