Lajme

Policë të armatosur para bankës në pronësi të magnatit të lidhur me Vuçiqin në Beograd

Forca të shumta policore janë vendosur sot para selisë së “Alta Bank” në Beograd, pasi Banka Kombëtare e Serbisë i ka hequr licencën e saj të veprimtarisë.

Prania policore u vendos pasi banka qendrore mori vendimin për t’ia hequr licencën “Alta Bank”, për shkak të problemeve serioze lidhur me gjendjen e saj financiare dhe likuiditetin.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë e mori këtë vendim pasi inspektimet zbuluan një përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes financiare të “Alta Bank”.

Gjithashtu, u konstatua se ekziston rreziku i një rënieje të mëtejshme të likuiditetit, gjë që vë në rrezik interesat e depozituesve.

Katër nën-guvernatorë të Bankës Kombëtare të Serbisë njoftuan se për gjendjen reale financiare të “Alta Bank” mësuan vetëm gjatë mbledhjes urgjente të jashtëzakonshme të Bordit Ekzekutiv, të thirrur të premten në mbrëmje, më 30 tetor.

Ata pretendojnë se gjendja reale e bankës ishte krejtësisht e ndryshme nga raporti që banka i kishte dorëzuar më parë Bankës Qendrore.

Më 29 tetor, prokuroria dërgoi një kërkesë shtesë që lidhet specifikisht me konvertimin e valutave dhe transfertat e parave nga llogaria e “Alta Bank” drejt jashtë shtetit.

Një ditë më vonë, Shërbimi Policor për Luftimin e Krimit të Organizuar kërkoi kryerjen e një inspektimi në veprimtarinë e bankës.

Kontrollet përfshijnë gjithashtu edhe veprimet e personave përgjegjës në Bankën Kombëtare të Serbisë.

Prokuroria konfirmoi sot se ka marrë një kallëzim penal nga BKS-ja kundër “Alta Bank” (si person juridik) dhe disa personave përgjegjës në atë bankë.

Ndërsa pretendimet për pastrim të mundshëm parash dhe transferta të paligjshme nuk janë vërtetuar ende përfundimisht.

Pronari i Alta Bankës është Davor Macura, një sipërmarrës serb i cili ndërtoi një sistem të madh biznesi gjatë sundimit të Partisë Përparimtare Serbe. Mediat serbe e lidhin atë me qeverisjen e mëparshme të Aleksandar Vuçiq.

Heqja e licencës së Alta Bankës vjen pas humbjes zgjedhore të partisë së Vuçiqit fundjavën e kaluar. Janë shfaqur dyshime publike se, përmes Alta Bankës, nga Serbia janë transferuar fonde jashtë vendit.

Të Ngjashme