Lajme

Policia e Kosovës me plan operativ për sigurinë e zgjedhjeve

Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet operacionale dhe planifikimet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, duke synuar garantimin e sigurisë dhe rendit publik para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Sipas Policisë së Kosovës, është hartuar me kohë urdhri operativ që parasheh angazhimin e një numri të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë nga njësite të ndryshme, kryesisht të rendit publik, por edhe profileve të tjera, varësisht nga nevojat operative në terren. Në kuadër të këtij plani janë paraparë edhe resurset e nevojshme logjistike për të siguruar procesin zgjedhor.

Plani operativ i Policisë së Kosovës përfshin katër faza: periudhën përgatitore dhe vlerësuese, angazhimin gjatë fushatës zgjedhore, sigurimin e ditës së zgjedhjeve si dhe fazën paszgjedhore, e cila përfshin transportin dhe sigurimin e materialit sensitiv deri në përmbyllje të plotë të procesit.

Aktualisht, sipas Policisë, është realizuar faza e parë dhe po zbatohet faza e dytë e planit, që lidhet me garantimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa më pas do të vijojnë fazat e tjera deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ, sipas autoriteteve policore, është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ketë ngritje të vigjilencës në sigurimin e qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve, si dhe sigurimin e transportit të materialit sensitiv zgjedhor në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Gjithashtu, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe Këshillin Gjyqësor, janë caktuar hetues dhe koordinatorë për trajtimin e çdo rasti që lidhet me procesin zgjedhor, ndërsa do të ndërmerren masa procedurale dhe penale ndaj çdo shkeljeje të ligjit që cenon të drejtën e votës.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin për transparencë, profesionalizëm dhe bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet, duke inkurajuar raportimin e çdo aktiviteti të kundërligjshëm përmes numrave zyrtarë dhe kanaleve të komunikimit.

Të Ngjashme