Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia finlandeze thotë se bullizmi ishte motiv për sulmin në shkollë

Një djalë 12-vjeçar – i cili e qëlloi me armë për vdekje një nxënës moshatar të klasës së gjashtë dhe i plagosi rëndë dy nxënëse, përfshirë një vajzë nga Kosova në një shkollë fillore në Finlandë – ishte cak i bullizmit dhe kjo është çfarë e nxiti atë ta kryejë sulmin, tha Policia finlandeze të mërkurën.

Policia tha se ai e mori me vete revolen e një të afërmi në shkollën fillore “Viertola” në afërsi të Helsinkit dhe i qëlloi tre nxënës 12-vjeçar dhe i kërcënoi disa të tjerë.

Ai ishte transferuar në këtë shkollë në fillim të vitit 2024, thanë hetuesit.

Policia tha se njëra nga vajzat e plagosura ka nënshtetësi të dyfishtë, kosovare dhe finlandeze. Ajo tha se të dyja vajzat e plagosur rëndë janë duke u mjekuar ende në spital.

Në një komunikatë për media të mërkurën, Policia finlandeze tha se dorasi i dyshuar, shtetas finlandez, u mor në pyetje të martën dhe “e ka pranuar kryerjen e aktit”.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës konfirmoi se një vajzë shqiptare nga Kosova është njëra nga të plagosurit në sulmin në shkollën “Viertola” në Finlandë.

Ajo nuk dha hollësi të tjera, por tha se se Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e vajzës.

Finlanda mbajti ditë zie kombëtare të mërkurën për nder të fëmijës së vrarë në këtë sulm.

“Sot zbuluam se pas kësaj tragjedie qëndron bullizmi”, tha udhëheqësi i hetimit, detektivi Marko Sarkka për Reuters./rel