Aktuale

Policia Kufitare bllokon 8 mjete ujore në Ksamil/ Nisin verifikimet pas aksidentit tragjik, të 20-vjeçarit

Policia Kufitare ka bllokuar 8 mjete ujore në Ksamil për verifikim, në kuadër të kontrolleve të shtuara pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë.

Sipas burimeve, dyshohet se këto mjete ujore kanë fuqi motorike më të madhe se norma e lejuar. Për këtë arsye, secili prej tyre do t’i nënshtrohet verifikimeve teknike dhe ligjore nga Policia Kufitare. Në rast se do të konstatohen shkelje, pritet të merren masa ndaj poseduesve të mjeteve.

Aksioni vjen pas aksidentit tragjik në ujërat e Ksamilit, ku një 22-vjeçar u përplas me mjetin e Policisë Kufitare dhe humbi jetën në vend. Ndërkohë, mjeti ujor me të cilin udhëtonte i riu është nxjerrë nga uji dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Verifikimet do të përcaktojnë nëse mjetet e bllokuara plotësojnë kriteret teknike dhe ligjore për qarkullim në det, si dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë detare.

Policia Kufitare pritet të vijojë kontrollet në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku përdorimi i mjeteve ujore është më i lartë dhe kërkon mbikëqyrje më të rreptë.

Të Ngjashme