Aktuale

“Populli shqiptar duhet të vendosë për shtetin Bektashi”: I dërguari special i Trump viziton Kryegjyshatën

TIRANË – I dërguari special i presidentit të SHBA-së Donald Trump për Partneritetet Globale në Ballkan, Paolo Zampolli, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku është ndalur te bashkëpunimi dypalësh, bashkëjetesa fetare dhe projekti për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë.

Gjatë vizitës, e cila u zhvillua në Ditën e Nënë Terezës, Zampolli u takua me Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), dhe vlerësoi lart harmoninë ndërfetare në Shqipëri, duke e cilësuar vendin tonë si një mik dhe aleat të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.

I pyetur nga gazetarët lidhur me nismën e prezantuar nga Kryeministri Edi krijimin e një entiteti sovran Bektashi, i dërguari special amerikan theksoi se vendimi i takon qytetarëve shqiptarë dhe se komuniteti ndërkombëtar do të respektojë çdo vullnet të tyre.

“E kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin. Nëse populli i Shqipërisë e dëshiron këtë, mendoj se kjo është një gjë e mirë,” u shpreh Zampolli, duke shtuar se duhet dëgjuar zëri i popullit.

Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu projektet e përbashkëta në fushën e shëndetësisë dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike e strategjike mes dy vendeve, ndërsa Zampolli pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të qeverisë dhe grupeve parlamentare shqiptare.

Të Ngjashme