Lajme

Pozhari: Nëse vazhdon bllokada, presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët

Analisti politik Xhevdet Pozhari ka komentuar zhvillimet rreth procesit të zgjedhjes së presidentit, duke sugjeruar se nëse situata aktuale vazhdon, zgjidhja më e mirë do të ishte që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Duke folur në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Pozhari u ndal te dështimi i disa seancave gjatë ditës për zgjedhjen e presidentit, ndërsa një tjetër është paralajmëruar për orën 23:00.

Sipas tij, mungesa e konsensusit politik po e zvarrit procesin dhe po e bën të pamundur arritjen e një marrëveshjeje.

“Në këto rrethana, më tepër po dominojnë inatet sesa një mirëkuptim mes partive politike dhe mendoj se këtu është thelbi i problemit. E kemi diskutuar edhe më herët që nëse vazhdohet kështu pafundësisht, atëherë më së miri është që zgjedhja e presidentit t’u lihet në dorë qytetarëve, dhe të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese”, u shpreh Pozhari.

Ai theksoi se kriza aktuale politike kërkon zgjidhje më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të shmangen bllokadat e vazhdueshme institucionale.

Të Ngjashme