Më 28 maj ka filluar zyrtarisht gara zgjedhore për 7 qershorin, ku partitë kryesore kanë shpalosur mesazhet dhe premtimet e tyre në tubimet e para elektorale.
Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja mbajtën tubimet hapëse në Ferizaj, ku kandidatët për kryeministër, Albin Kurti dhe Bedri Hamza, shpalosën vizionet e tyre për ekonominë, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në Prishtinë, LDK-ja e nisi fushatën me fokus te familja dhe politikat sociale, ndërsa në Gjakovë Aleanca prezantoi prioritetet e saj në siguri, zhvillim ekonomik dhe energji.
Analistët vlerësojnë se në ditën e parë të fushatës janë përsëritur premtime të mëdha elektorale, të cilat shpesh konsiderohen të vështira për t’u realizuar në praktikë, duke krijuar perceptimin e një gare të bazuar më shumë në propagandë sesa në plane të detajuara qeverisëse.
Në vlerësimet e tyre, kjo mënyrë e hapjes së fushatës po kontribuon në rritjen e mosbesimit të qytetarëve ndaj klasës politike, veçanërisht për shkak të përsëritjes së situatave të ngjashme në çdo cikël zgjedhor. Analistët shtojnë se mungesa e fokusit në programe të qarta dhe të matshme e bën edhe më të vështirë dallimin mes ofertave politike të partive.
Qarri: PDK-ja dhe LDK-ja po hyjnë në zgjedhje me probleme të thella të brendshme, premtimet elektorale janë utopike
Fillimisht, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e parakohshme po karakterizohet nga përsëritja e premtimeve të njohura politike dhe nga mungesa e besueshmërisë së subjekteve që garojnë për pushtet.
Ai ka thënë qytetarët po përballen vazhdimisht me procese zgjedhore që po shkaktojnë zhgënjim të thellë.
“Njëjtë si edhe në zgjedhjet e mëparshme, të cilat tanimë, për fat të keq kanë nisë të shpeshtohen së tepërmi dhe po shkaktojnë zhgënjim të thellë te qytetarët, me rastin e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e reja të parakohshme, bie në sy tendenca e njohur e segmenteve pjesëmarrëse, si me fjalorë e temperamente tipike partiake, ashtu edhe me riciklimin e përmbajtjes së deklarimeve politike duke fryrë edhe më tepër përmasën e premtimeve elektorale, pa mbështetje në themele të qëndrueshme dhe të shoqëruara me mosbesueshmëri të theksuar oportuniste”, ka theksuar ai.
Duke komentuar paraqitjen e kandidatit të PDK-së, Qarri është shprehur kritik ndaj pozitës së Bedri Hamzës brenda partisë.
Qarri ka shtuar se Hamza, si ekonomist me përvojë, është i vetëdijshëm për vështirësitë e realizimit të premtimeve që po jepen gjatë fushatës.
“Veçanërisht paraqitja e kryetarit formal të PDK-së Bedri Hamza, e cila siç dihet botërisht është e ndarë brenda për brenda në disa fraksione, që në shfaqjen e parë, na bënë të ndjejmë keqardhje të jashtëzakonshme për te, pasi që duke qenë se atij i rri mbi kokë, Sami Lushtaku, kryetari faktik i cili sundon edhe partinë dhe jo vetëm Drenicën e kashtënajën e strofullit të PDK-së, kurse në Prishtinë, fjalën kryesore e ka Uran Ismajli, pas humbjes së Mitrovicës, ish bastionit të Bedri Hamzës, ai tani duket si një fëmijë jetim e me orientim të humbur.
Kështu që, qysh në pamje të parë, shihet qartazi se Bedri Hamza flet me zor edhe premtimet që bënë i ka të diktuara, ngase si ekonomist me përvojë, ai është i vetëdijshëm, se në rrethanat aktuale të Kosovës, e cila nëse partitë opozitare edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit nuk bashkëpunojnë me partinë fituese, për votimin e presidentit dhe krijimin e institucioneve të qëndrueshme shtetërore, ka gjasa reale, që në çdo 4-5 muaj, vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe për rrjedhojë premtimet që Bedri Hamza është i detyruar ti bëjë, në fushatë për opinion, janë vetëm utopi elektorale e plotësisht të parealizueshme”, ka thënë ai.

Gani Qarri
Tutje, Qarri ka komentuar edhe situatën në LDK, duke thënë se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, po hyn në këto zgjedhje me mbështetje të zbehur brenda partisë.
Ai është ndalur edhe te rikthimi politik i ish-presidentes Vjosa Osmani pranë strukturave të LDK-së, duke pretenduar se kjo mund të sjellë pakënaqësi të reja brenda partisë.
“Se i njëjti fat i tillë i keq, e përcjellë edhe Lumir Abdixhikun, e dëshmon vet paraqitja e tij, tepër e zbehtë, madje kësaj radhe edhe shumë më e zbehtë se kurdoherë më parë, në fushatat paraprake elektorale, të cilit duket hapur, që përveçse i ka rënë krejt elani politik, i ka humbur totalishtë edhe frymëzimi për të qëndruar në krye të një partie, ku ndjehet i huaj dhe i padëshiruar, i vetëdijshëm se mese gjysma e kryesisë dhe kuvendit të LDK-së janë deklaruar publikisht kundër tij dhe se këto zgjedhje janë mundësia e fundit politike, për te.
Shto gjithë kësaj edhe faktin tjetër konspirativ dhe me precedencë dëmtuese, që pas dështimit për tu rizgjedhur presidente, LDK-së së mbetur, bëri sikur iu bashkua edhe ish e rebeluara e po kësaj partie dhe një kandidate tjetër e dështuar, si Vjosa Osmani e cila e mbetur e vetme, pa grupim të vetin dhe pa parti e mbështetje, nga halli i saj personal, vrapoi ti bashkohet serish LDK-së, edhe pse tanimë, shumë më të topitur politikisht, se kur Vjosa iku nga ajo, ku aderimi i Vjosës përveçse shkaktoi aktualisht pakënaqësi të theksuara të brendshme, ka mundësi që tani me “bashkimin”, ta dëmtojë edhe më rënd LDK-në, se sa dikur me ikjen e saj, nga kjo parti”, ka vlerësuar ai.
Qarri ka deklaruar se, nga çdo këndvështrim, përveç AAK-së që sipas tij rrezikon të mos e kalojë pragun zgjedhor, dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, edhe nëse do t’i fitonin zgjedhjet, nuk do të mund të formonin qeveri pa ndikimin e Listës Serbe.
“Pra nga secili këndvështrim, përveç AAK-së e cila pritet të bie përfundimisht nën pragun zgjedhor, dy partitë kryesore opozitare edhe po ti fitonin hipotetikisht zgjedhjet, janë të vetëdijshme se pa dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën “listë serbe”, e kanë të pamundur ta formojnë qeverinë dhe udhëheqin vendin, gjë që nuk do të mirëpritej as pranohej më, nga populli i Kosovës.
Shto kësaj faktin se si PDK ashtu edhe LDK, kanë aq shumë probleme dhe pakënaqësi të brendshme, sa që tanimë është dëshmuar publikisht, se e kanë të pamundur tejkalimin e tyre dhe stabilizimin e segmenteve të veta politike, nëse ato nuk do të arrijnë edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit të krijojnë ngërçe e bllokadave të reja institucionale dhe çuarjen e vendit, nga zgjedhjet në zgjedhje, për t`ia zgjatur jetën vetvetes në kurriz të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, do të shuhet edhe ky “ilaç” i vetëm, që i ka mbajtur gjallë kohët e fundit dhe pritet të vije te shkapërderdhja dhe ndarja përfundimtare e tyre, me ç`rast do të ndryshonin përfundimisht konstalacionet aktuale partiake, do të përmirësohej atmosfera e nderë politike dhe do të krijohej mundësia për gjetjen më të lehtë të zgjidhjes së problemeve, emërimin e presidentit, formimin e institucioneve të qëndrueshme shtetërore, rivendosjen e stabilitetit legjislativ në vend dhe mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës”, ka cilësuar Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Fushata ka nisur prej kohësh, partitë po garojnë më shumë me retorikë sesa me programe konkrete
Ndërkaq, opinionisti, Gani Mehmeti, ka vlerësuar për “Bota sot” se megjithëse zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit është hapur më 28 maj, në praktikë ajo ka nisur shumë më herët, madje që nga shpërndarja e Kuvendit.
Ai është shprehur se partitë opozitare e kanë pritur me entuziazëm shpalljen e zgjedhjeve, por më shumë për shkak të rrëzimit të qeverisë sesa nga bindja se mund të sigurojnë një fitore të qartë.

Gani Mehmeti
“Zyrtarisht u hap fushata zgjedhore më 28 maj për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, por jozyrtarisht fushata ka kohë që ka filluar, ndoshta ende para se të shpallej dita e zgjedhjeve, që me shpërndarjen e kuvendit.
Dhe, më duket bukur shumë interesante, kur partitë opozitare me një lloj entuziazmi e kanë pritur datën e shpalljes së zgjedhjeve, e kjo ka ndodhur këso fare në të gjitha zgjedhjet e fundit. Këtë entuziazëm e kanë mbështetur më shumë në kënaqësinë e rënies së qeverisë e jo në binjdet e as besimin e tyre se do të fitojnë aq shumë, sa edhe do të fitojnë zgjedhjet për formimin e qeverisë.
Njësoj u veprua edhe në hapjen e fushatës zgjedhore. Fati i mirë është se fushata do të zgjasë vetëm dhjetë ditë, sepse sikur është lodhur populli nga fryrjet e tepërta të projekteve programeve, të cilat edhe ashtu, mungojnë konkretisht dhe nuk di të kenë me shkrim se në çka do të jenë të fokusuar e orientuar më shumë për katër vitet e ardhshme në zhvillimin e vendit, përveç shtyrjeve të tyre, me krekosje se secili është më i mirë se tjetri”, ka deklaruar ai.
Sipas Mehmetit, edhe kësaj radhe fushata ka nisur me gara retorike dhe me sulme ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa programet konkrete kanë mbetur në plan të dytë.
Duke analizuar paraqitjet e liderëve politikë, Mehmeti ka vlerësuar se Kurti paraqiti programin më konkret në ditën e parë të fushatës, ndonëse ngriti dilema për realizimin e plotë të projekteve të prezantuara.
“Si edhe në të kaluarën, edhe kësaj ardhe, hapja e fushatës zgjedhore ka nisur me gara në fjalë, duke e ngritur veten më lart se tjetrin, madje edhe me fjalë denigruese, më shumë sesa me programet e tyre. Edhe po u shpalosën programet, ato shihet se janë të paarritshme, për çka ekziston mosbesimi në realizimin e tyre, aq më shumë kur njihen me veprimet e tyre të derisotme. Edhe në ditën e parë të hapjes së fushatës, nuk mungoi gjuajtja e baltës mbi të tjerët.
Në ditën e parë të hapjes së fushatës mund të thuhet se programin konkret e dha më shumë Albin Kurti, i cili është shumë i madh, por me një mëdyshje se a do të mund të realizohet gjatë mandatit për katër vite. Mirëpo, edhe nëse nuk mund të realizohet i tëri, në projektet e mëdha, do të mjaftonte realizimi i tyre deri në 75 a 80 për qind, sepse në fushata programet fryhen për të përvetësuar zgjedhësit”, ka theksuar ai.
Sa i përket PDK-së dhe kandidatit të saj për kryeministër, Mehmeti ka thënë se Hamza paraqitet bindshëm para elektoratit, por se ekziston skepticizëm për realizimin e premtimeve.
“Bedri Hamza, si një orator, flet bindshëm, sikur ai edhe do të fitojë, por edhe do të realizojë atë që premton. Mirë i rendit të gjitha ato për çka ka nevojë populli dhe Kosova, por ka humbur besimi edhe nga lavdi i tepërt për vete”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, ai ka komentuar edhe përdorimin e simbolikës së UÇK-së në fushatë, duke vlerësuar se ajo nuk duhet të përdoret për përballje të brendshme politike.
“PDK ka qenë e karakterizuar si një parti e dalë nga lufta dhe thirrjet ‘UÇK, UÇK’ disi e zbehin fushatën, sepse UÇK nuk është për luftën brenda qytetarëve. Kjo forcë e ka treguar veten gjatë luftës dhe kjo do të mund të vinte në shprehje vetëm në raport me jashtë, në veçanti me Serbinë. Nuk duhet harruar se lufta u fitua me ndërkombëtarët, prandaj sa herë themi UÇK do të ishte mirë të themi edhe NATO”, ka thënë Mehmeti.
Po ashtu, ai i ka dhënë disa vlerësime edhe për paraqitjen e Abdixhikut në hapjen e fushatës dhe premtimet që i bëri ai.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, nisur nga fjalët e mëdha të Abdixhikut, na del më ‘i miri’, sepse ai do të rregullojë çdo gjë, por pa u fokusuar shumë në çka dhe pa i detajuar. Sipas tij, Kosova do të bëhet krejt tjetër nën qeverisjen e tij, po iu dha besimi nga votuesit”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Mehmeti ka përmendur edhe paraqitjen e AAK-së dhe kandidatit të saj për kryeministër, Ardian Gjini.
“Me një bindje shumë të fortë po fliste edhe Ardian Gjini, tani kryetar i AAK-së dhe i emëruar për kryeministër të Kosovës, nëse do t’i fitojë zgjedhjet. Pra, secili shpallte veten më të mirin nga të gjithë të tjerët”, ka shtuar ai.
Në fund, Mehmeti ka vlerësuar se në aspektin e sigurisë dhe investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryeministri Kurti ishte më konkret dhe më bindës se rivalët e tij politikë.
“Këtu, me investimet më të mëdha, deri në miliarda në Forcat e Sigurisë së Kosovës, ishte më konkret dhe më bindës Albin Kurti, për çka edhe është parë gjatë mandatit të tij të deritanishëm, për çka edhe i besohet. Kjo ka domethënie të madhe tek shqiptarët e pushtuar nga Serbia dikur, kur thuhej, një lopë nëse e ke, shite e bleje një pushkë. Pra, vinte më shumë fokusimi tek siguria, tek mbroijtja eventuale nga sulmi i kujtdo, sesa tek gjërat e tjera shumë të nevojshme për jetën. Edhe tani, ne jemi me Serbinë në gjendje lufte, sepse ajo pretendon të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, prandaj, meqë jemi shtet, tani duhet të forcojmë mbrojtjen më shumë se gjithçka tjetër. Kjo ka qenë, e mbetet edhe tani, një e metë e partive të tjera.
Për më shumë, mbetet të shohim e të dëgjojmë gjatë këtyre ditëve në vijim se kush me çka e si do të na dalë me projekte”, ka përmbyllur Mehmeti për “Bota
