Aktuale

Presidenti Begaj cakton datën e zgjedhjeve vendore, zbardhen konsultimet me partitë politike

Presidenti i Republikës ka dekretuar 9 majin 2027 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se data është caktuar pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Thirrjes së Presidentit iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike nuk morën pjesë në konsultime dhe nuk shprehën parapëlqime për datën e zgjedhjeve.

Sipas njoftimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin 2027, duke argumentuar se caktimi i kësaj date, si e fundit në kalendarin e periudhës zgjedhore të pranverës, u jep institucioneve më shumë kohë për përgatitjet dhe masat e nevojshme për organizimin e procesit. Edhe Partia Socialdemokrate shprehu mbështetjen për këtë datë.

Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet vendore të zhvillohen në periudhën zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela mes 15 prillit dhe 15 majit.

Në përfundim të konsultimeve, Presidenti i dha forcë juridike datës 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, duke theksuar se kjo zgjedhje nuk lidhet me ndonjë favorizim të palëve politike apo ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.

Në njoftimin e tij, kreu i shtetit u bëri thirrje forcave politike të marrin pjesë në zgjedhje me kandidatë, alternativa dhe platforma, si dhe të garantojnë një proces të drejtë e konkurrues. Ai kërkoi gjithashtu respektimin e kuadrit ligjor, barazinë mes palëve dhe bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.

Njoftimi:

Sot, Presidenti i Republikës dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela midis datës 15 prill dhe 15 maj.
Për caktimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti i Republikës thirri në konsultë gjithë faktorin politik që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve si përfaqësues i organit përgjegjës për zgjedhjet në Shqipëri. Thirrjes në konsultë iu përgjigj Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Subjektet e tjera preferuan t’i qëndrojnë larg konsultës, sikurse nuk bënë publik asnjë parapëlqim partiak lidhur me datën e zgjedhjeve.

Subjektet e përfshira në konsultë u treguan të hapur për secilën zgjidhje. Komisioneri sugjeroi datën 9 maj 2027, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese. Partia Socialdemokrate gjithashtu parapëlqen këtë datë.

Data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës i dha forcë juridike datës 9 maj 2027.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik; palët të zhvillojnë një proces konkurrues të drejtë, të përkushtuar e luajal, të respektojnë me vetëdije të spikatur kuadrin ligjor dhe barazinë e armëve, si dhe të bashkëpunojnë pa rezerva me KQZ-në për zhvillimin e një procesi shembullor dhe në përputhje me standardet më të larta për një shoqëri demokratike.

Të Ngjashme