Lajme

Presidenti dhe institucionet në udhëkryq – 9 shtatori mund të sjellë një nga këta tre skenarë

Kosova të mërkurën, më 9 shtator, pritet të hyjë në një tjetër ditë të rëndësishme politike, me deputetët që do të rikthehen në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.

Seanca, e cila kishte mbetur e papërfunduar muajin e kaluar, pritet të nisë në orën 11:00. Në fokus do të jetë përmbyllja e procesit të konstituimit të Kuvendit, hap ky që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Megjithatë, përtej konstituimit të Kuvendit, vëmendja politike pritet të përqendrohet edhe te zhvillimet e ardhshme, veçanërisht te zgjedhja e presidentit të Republikës.

Në këtë kuadër, mbetet e paqartë nëse marrëveshja politike ndërmjet LVV-së dhe LDK-së do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të tejkaluar ngërçin institucional dhe për t’i hapur rrugë funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit.

Vlen, të përmendet se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrin pjesë në seancën e 9 shtatorit për konstituimin e Kuvendit.

Drenori: Seanca e së mërkurës mund të “ec” mbi tre skenarë

Image
Analisti politik, Xhavit Drenori

Analisti politik, Xhavit Drenori ka thënë se për seancën e së mërkurës janë të mundshëm tre skenarë.

Sipas tij, LVV mund të mos vazhdojë me konstituimin e institucioneve në mungesë të një marrëveshjeje për presidentin; mund të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, duke fituar kohë për të arritur një marrëveshje; ose mund të arrihet një marrëveshje mes partive që do t’i hapte rrugë zgjedhjes së presidentit.

Drenori vlerëson se dy skenarët e parë janë më të mundshëm, ndërsa një marrëveshje mes subjekteve politike e sheh si më pak të mundshme.

“Sa i përket çështjes së ngritur dhe asaj se çfarë mund të ndodhë në seancën e së mërkurës, mendoj se janë të mundshëm tre skenarë.

Skenari i parë është që Lëvizja Vetëvendosje të deklarojë se nuk ka arritur të bëjë marrëveshje me asnjë subjekt politik. Meqë moszgjedhja e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve, LVV mund të kërkojë që të mos vazhdohet me procedurat për konstituimin e institucioneve, përkatësisht me formimin e qeverisë, por të shfrytëzohet hapësira parlamentare për të kërkuar një zgjidhje tjetër. Kjo është një nga alternativat që mund të ndodhë.

Alternativa e dytë është që, edhe pa një marrëveshje me subjektet e tjera politike, të vazhdohet me procedurën e konstituimit të Kuvendit dhe më pas me formimin e qeverisë. Kjo do t’i jepte kohë dhe hapësirë LVV-së që gjatë dy muajve të ardhshëm të tentojë të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Skenari i tretë është që eventualisht të ndodhë një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike, e cila do t’i hapte rrugë procedurës për zgjedhjen e presidentit.

Ky skenari i tretë më duket më pak i mundshëm. Prandaj, mendoj se dy alternativat e para janë ato që mund të shihen si më të mundshme në seancën e së mërkurës” – shpjetoi ai për “Bota sot”.

Makolli: Kritika VV-së

Image
Vesel Makolli

Kurse, analisi politik, Vesel Makolli ka thënë se është paradoksale që një subjekt që ka fituar tri palë zgjedhje radhazi, dy herët e fundit me mbi 50% të votave, ta lërë vendin për gati dy vjet në vakum institucional.

“T’i fitosh tri palë zgjedhje radhazi dhe atë bindshëm, sidomos dy herët e fundit me mbi 50% të votave, e pastaj ta lësh vendin për gati dy vjet në vakum institucional – pa institucione funksionale – është një paradoks politik që kërkon shumë më tepër se një analizë të zakonshme.

Sidomos kur kjo është pikërisht ajo përgjegjësi për të cilën elektorati kosovar të ka besuar dhe, lirisht mund të themi, të ka obliguar.

Nuk mjafton të thuhet se faji qëndron te opozita, te sistemi, te rrethanat apo te bllokadat institucionale. Një lider që fiton tri herë radhazi, me një mbështetje kaq të madhe elektorale, bart një përgjegjësi të jashtëzakonshme politike për aftësinë e tij për ta shndërruar atë mandat në institucione funksionale.

Sepse në fund të fundit, suksesi politik nuk matet vetëm me numrin e votave që merr në ditën e zgjedhjeve. Matet edhe me aftësinë për ta përkthyer atë besim qytetar në qeverisje, stabilitet, institucione dhe rezultate”, tha ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Avni Dehari, si thirrës i seancës konstituive, nuk ka kompetenca përtej udhëheqjes së kësaj seance. Ai vlerëson se shtyrja dhe zvarritja e mbledhjes, duke konsumuar afatet kushtetuese, është veprim politik në përputhje me interesat e partisë së tij.

“Thirrësi i mbledhjes së Kuvendit për datën 9 shtator është njëri nga deputetët, si të gjithë të tjerët. Rregullorja e Punës së Kuvendit, duke u bazuar në moshën e tij, e obligon atë që ta thërrasë dhe ta udhëheqë vetëm mbledhjen konstituive të Kuvendit. Ai nuk ka asnjë obligim tjetër dhe asnjë kompetencë tjetër të veçantë përtej këtij funksioni.

Në këtë kontekst, shtyrja — apo zvarritja — e mbajtjes së mbledhjes dhe konsumimi i të gjitha afateve kohore kushtetuese nga ana e Avni Deharit, nuk mund të trajtohet thjesht si një çështje procedurale. Është një veprim politik, i cili, sipas gjithë asaj që kemi parë, është bërë në përputhje me vendimin dhe interesin politik të partisë së tij.

Është krejt normale dhe demokratike që opozita ta kundërshtojë qeverinë, të kërkojë zgjedhje të reja, të mos e votojë qeverinë dhe të përdorë të gjitha mjetet politike e parlamentare që ia lejon Kushtetuta dhe demokracia”, u shpreh ai.

Ai tha se përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve bie mbi fituesin e zgjedhjeve.

Sipas tij, zvarritja e afateve kushtetuese është pjesë e një kalkulimi politik për t’ia faturuar opozitës përgjegjësinë për krizën dhe zgjedhjet e reja.

“Por barra kryesore për krijimin e institucioneve bie mbi atë që ka fituar zgjedhjet dhe ka kërkuar mandatin për ta qeverisur vendin.

Prandaj, nuk mund të përmbyset logjika politike duke ia atribuar opozitës përgjegjësinë kryesore për një vakum institucional, ndërkohë që fituesi i zgjedhjeve, me mbi 50% të votave, ka pasur numrat dhe mandatin për t’i krijuar institucionet.

VV-ja nuk ka qenë që në fillim e gatshme për të gjetur kompromis politik dhe për t’i krijuar institucionet shtetërore, për shkak të obligimeve që e presin nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe të vendimeve që duhet t’i zbatojë.

Në këtë kontekst, shkelja e afateve kohore kushtetuese mund të shihet si pjesë e një strategjie politike: si një lloj karremi për opozitën, në mënyrë që, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë më 9 shtator, opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e afateve kushtetuese. Synimi politik i VV-së është i qartë: krijimi i një situate ku përgjegjësia për vazhdimin e krizës institucionale dhe për një cikël të ri të zgjedhjeve parlamentare t’i faturohet opozitës.

Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një ngërç procedural, por me një kalkulim të mirëfilltë politik”  -përfundoi ai.

Të Ngjashme