Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, iu drejtua të mërkurën Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara për veprimet e tyre ushtarake ndaj Iranit.
Pezeshkian kundërshtoi deklaratat që e paraqesin Iranin si një shtet terrorist dhe tha se vendi i tij ka qenë viktimë e terrorizmit.
“Presidenti amerikan na përshkroi si terroristë. Ne kemi qenë viktima të terrorizmit”.
Ai akuzoi gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin për përdorimin e armëve në sulme që, kanë shkaktuar viktima civile, duke përmendur edhe shkollën e bombarduar mw 28 shkurt kur filluan sulmet ndaj Iranit.
“SHBA-të bombarduan një shkollë” dhe “fëmijët u zhdukën nën bomba me armë të përdorura nga SHBA-të dhe Izraeli”.
Presidenti iranian tha se Teherani ishte përgjigjur ndaj sulmeve, por mohoi se objektivi i Iranit kishte qenë popullsia civile.
Irani, sipas tij, “nuk uli kokën… dhe u përgjigj, por ne nuk goditëm popullatën civile”, por “vetëm mbrojtëm veten – ne nuk jemi terroristë”.
Ndërsa Pezeshkian vijonte fjalimin, delegacioni amerikan u largua nga salla e Asamblesë së Përgjithshme.
Më pas, presidenti iranian iu drejtua drejtpërdrejt atyre që ai i konsideroi përgjegjës për sulmet ndaj Iranit.
“Ata e kanë vënë në provë forcën dhe qëndrueshmërinë e Iranit dhe kanë mësuar se Irani nuk mund të detyrohet të dorëzohet. Irani nuk ka qenë kurrë, kurrë agresor, nuk ka filluar kurrë një luftë dhe gjithmonë ka treguar përkushtimin e tij ndaj tryezës së negociatave.”
Pezeshkian theksoi se Irani, sipas tij, nuk i trembet konfliktit dhe se do të vazhdojë ta paraqesë reagimin e tij ushtarak si vetëmbrojtje.
“Ata na imponojnë luftën, por ne kemi vërtetuar se nuk kemi frikë nga luftimet, nga lufta që është me natyrë mbrojtëse, dhe do të qëndrojmë në mbrojtje të Iranit tonë të dashur, atdheut tonë, deri në frymën tonë të fundit. ”
Në pjesën tjetër të fjalimit, Pezeshkian bëri krahasime të drejtpërdrejta mes Iranit dhe Izraelit, duke argumentuar se ndaj dy vendeve zbatohen standarde të ndryshme në çështjet e armëve bërthamore, inspektimeve dhe sanksioneve.
“Arma bërthamore është në Izrael, por inspektorët janë në Iran. Izraeli vret, por Irani është subjekt i sanksioneve.”/teve1.info/
