Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, do të japë dorëheqjen nëntë muaj para përfundimit të mandatit të saj, një veprim që u hap rrugën udhëheqësve evropianë të zgjedhin një pasardhës përpara zgjedhjeve presidenciale të Francës vitin e ardhshëm.
Lagarde, 70 vjeç, do të largohet më 7 shkurt, tha BQE të enjten. Mandati i saj tetëvjeçar do të përfundonte më 31 tetor 2027.
Dorëheqja hap rrugën për pazare komplekse politike mbi pasardhësin e saj dhe zëvendësimet për dy zyrtarë të tjerë të lartë që do të largohen vitin e ardhshëm, shkruan Associated Press.
Presidentja e BQE-së drejton këshillin drejtues të bankës, i cili përcakton normat e interesit për 21 vendet që përdorin monedhën euro, duke ndikuar në kostot e huamarrjes për gjithçka, nga blerjet e shtëpive deri te fabrikat e reja dhe duke shërbyer si luftëtari kryesor i krizave i Bashkimit Evropian në kohë turbulencash ekonomike dhe financiare.
“Ka qenë një krenari e madhe dhe një privilegj i madh t’i shërbej këtij institucioni”, tha Lagarde në një videomesazh të postuar në X. “Mendoj se po largohem nga ky institucion me një ndjenjë pune të mirë të bërë dhe një BQE të përshtatshme për të ardhmen.”
E pyetur në një konferencë për shtyp për arsyet e saj pas vendimit të bankës për të lënë normat e pandryshuara, ajo tha se donte të çlirohej nga detyrimi i neutralitetit politik që vjen me të qenit në krye të BQE-së, duke mos dhënë hollësira.
