Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Profesori i Inxhinierisë thotë se faturat mbi 100 euro duhet të verifikohen

 
   

“Nëse 1000 kilovat (kW) është harxhuar brenda muajit dhe fatura i vije mbi 100 euro, atëherë ato fatura duhet të verifikohen”, deklaroi kështu, Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, Vezir Rexhepi.

Në kuadër të diskutimit për faturat e larta të energjisë elektrike të muajit dhjetor 2023, Rexhepi tha se me 1000 kW për muaj, është e palogjikshme që fatura të shkojë deri në 100 euro.

“Kam parë disa reagime që u kanë ardhur 200/300 euro faturë e rrymës, por duhet ta shpjegojmë se me atë rritje që është bërë, nëse dikush ka shpenzuar 1000 mijë kilovat për muaj dhe i ka ardhur fatura 150-200 euro, është jashtë logjikës, pra kjo duhet të verifikohet. Me 1000 kilovat për muaj, fatura nuk mund të shkojë deri te 90 euro. Pra, nëse dikush e ka kaluar 800 kilovatshin në orë dhe fatura ka ardhur 100-200 euro më shumë se sa në muajin nëntor, ka hapësirë për tu verifikuar”, potencoi Rexhepi.

I pyetur se cila mund të jetë zgjidhja në këtë situatë për ata qytetarë që mbase kanë 100 deri në 300 euro faturë të rrymës, Rexhepi tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, gjithmonë duhet të jetë në hap me trendin e rritjes ose zvogëlimit të energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare.

Më tej, profesori tha se mund të ketë edhe gabime teknike, por që përsëri duhet parë faturën sa është shpenzuar saktë.

Ndërkaq, Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, është deklaruar pas reagimeve që ka pasur për faturat e lëshuara ditët e fundit. Sipas tyre, vlera është më e lartë me arsyetimin se është rritur edhe konsumi.

Derisa sot, kanë thënë se 400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët. Sipas KESCO-s 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€.